Arbëri

Pas gati dy vjet qeverisjeje, granti i katërt për komunat as në agjendë

Granti i katërt qeveritar për komunat nuk është përfshirë në agjendën legjislative të ekzekutivit të përgatitur që nga viti i kaluar. Nga Qeveria nuk u deklaruan nëse ky premtim i kryeministrit Albin Kurti, që ishte edhe pjesë e programit qeverisës, do të përfshihet në agjendën legjislative për vitin 2023. Në një takim me kryetarë të komunave, kryeministri tha se granti do të ndahet vetëm pas regjistrimit të popullsisë. Por njohësit e fushës vlerësojnë që nëse lihet deri atëherë, Qeveria do ta përfundojë mandatin pa e operacionalizuar grantin.

Një premtim i Qeverisë që ishte pjesë edhe e programit qeverisës, aktualisht nuk figuron në inventarin legjislativ të ekzekutivit.

Premtimi për grantin e katërt qeveritar, që do t’u jepte komunave autonomi për investime kapitale, është hequr nga agjenda vitin e kaluar. Nga Qeveria nuk treguan nëse ai do të përfshihet në agjendën e vitit 2023.

Por kryetarët e komunave u shprehën skeptikë, si për përfshirjen në programin legjislativ, ashtu edhe për implementimin e tij brenda këtij viti.

“As sivjet nuk është granti i katërt e nuk e di a do të jetë edhe vitin e ardhshëm granti i katërt që është i nevojshëm për komunat. Gjithmonë komunat kanë nevojë për përkrahje shumë më të madhe nga Qeveria e granti i katërt, si zotim publik, po të përmbushej do të ishte i mirë për komunat. Kur do të përmbushet nuk e di, por sivjet nuk ka shanse”, ka thënë kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

“Ne kërkojmë që ai të rikthehet, sepse ka qenë në agjendë dhe në vitin 2022 është hequr nga agjenda pikërisht në shtatorin kur ne jemi takuar me kryeministrin dhe me Qeverinë e Kosovës është hequr. Në mënyrë që kryetarët të jenë më të kënaqur, sigurisht se zgjidhja për ndarjet buxhetore është Ligji për grantin e katërt, respektivisht Ligji për financat lokale”, ka thënë kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu.

Gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri Albin Kurti pati premtuar se nëpërmjet grantit, komunave do t’u alokoheshin mbi 600 milionë euro brenda mandatit katërvjeçar.

E teksa janë bërë gati dy vjet nga qeverisja e Kurtit, nuk është përgatitur as baza ligjore për jetësimin e premtimit.

“Jo vetëm që nuk ka ndodhur, por kursi ose zhvillimet kanë shkuar nga e kundërta e kësaj. Ka pasur propozime që komunave t’u merren të hyrat vetjake dhe, po ashtu, tanimë e konstatuar nga Instituti GAP që në buxhetin e vitit 2023 një pjesë e konsiderueshme e mjeteve kanë shkuar në komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Bekim Salihu nga Instituti GAP.

Kryeministri ishte arsyetuar gjatë mbledhjes së mbyllur me kryetarët e komunave të 10 janarit se për implementimin e këtij granti po pritet regjistrimi i popullsisë.

Bazuar në planifikime, regjistrimi duhet të kryhet deri më 16 tetor të këtij viti e që në afatin më të afërt, granti t’u ndahet komunave me buxhetin e 2024-s.

“Nëse përfundimisht ose zyrtarisht lidhet granti i katërt me regjistrimin e popullsisë, atëherë natyrisht që Qeveria do ta përfundojë mandatin që e ka në dispozicion pa grantin e katërt”, ka thënë Salihu.

Për të përfituar nga granti, bazuar në programin qeverisës, komunave do t’u duhet që të konkurrojnë me ide dhe me projekte konkrete.