Arbëri

Nis seanca ndaj Ukë Rugovës e të tjerëve, deklarohen të pafajshëm

Pas 15 muajsh nga seanca e fundit, ka filluar seanca gjyqësore në rastin ku kryeprotagonist është Ukë Rugova, djali i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Për rreth 10 minuta vazhdoi debati mes avokatit Besnik Berisha dhe kryetares së trupit gjykues Fatime Dërmaku.

Avokati Berisha shkas ka marrë nga fakti që gjyqtarja Dermaku ka konstatuar prezencën e mediave në procesverbal.

Sipas Berishës, një gjë e tillë nuk duhet të bëhet për shkak së mediat nuk janë palë në proces por të barabartë me secilin qytetarë që merr pjesë në seancë.

Me kërkesë të avokatit Besnik Berisha, kryetarja e trupit gjykues u tha mediave që sapo janë dhënë të dhënat personale, të akuzuarve janë tërhequr mikrofonat dhe janë ndalë kamerat.

Gjyqtarja Dërmaku ka thënë se “mediat duhet ta kenë parasysh që të mos i publikojnë këto pamje” duke paralajmëruar që në të kundërtën përballen me pasoja.

Pas kësaj, Berisha ka kërkuar nga gjyqtarja që të merret vendim që të ndalohet publikimi i fytyrës së klientit të tij dhe të akuzuarve të tjerë nga mediat deri në përfundim të seancës.

"Për atë e konstatova prezencën e mediave, secili medium që është këtu edhe me kamera, këta e dinë që nuk kanë të drejtë ta publikojnë në kamerë asnjërin të pandehur dhe kjo ka qenë intenca e qëllimi pse i kemi mbajtur në procesverbal, sepse çdo incizim që publikohet me pamje do të mbajnë përgjegjësi”, ka deklaruar gjyqtarja.

Përveç ish-deputetit Ukë Rugova, në këtë rast akuzohen edhe ish-ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri, të akuzuar për krim të organizuar lidhur me vizat italiane.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.


Haraqija thotë se akuza ndaj tij është luftë politike

Ish-ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, e ka quajtur luftë politike akuzën ndaj tij për krim të organizuar lidhur me viza italiane.

Haraqija tha se një shef i EULEX-it, të cilit nuk ia përmendi emrin t'i ketë thënë që: “Ti e Rugova në burg mundeni me shku, por nuk keni me marrë partinë”.

Ai ka thënë se ai dhe Ukë Rugova që prej vdekjes se presidentit Rugova janë luftuar dhe që 5 palë zgjedhje nuk kanë pasur mundësi të marrin pjesë.