Partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur gatishmëri në vazhdimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit me Kosovën, e ndërkohë Forca e Sigurisë së Kosovës ka theksuar se roli i partnerëve për sigurinë e vendit është thelbësor.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbledhur partnerët e saj në konferencën vjetore “FSK dhe partnerët 2023” e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes për të përmirësuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të realizuar planet me partnerët në vazhdim.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se partneriteti është shumë i rëndësishëm për të ballafaquar sfidat dhe operacionet e sigurisë në interesa të përbashkëta.
“Duke ju falënderuar Policisë së Kosovës dhe profesionalizmit të jashtëzakonshëm dhe koordinimit të mirë me partnerët, ky sulm flagrant nuk pati sukses, sidoqoftë ne jemi ende të vetëdijshëm se kërcënimi ende ekziston përderisa Serbia ka 48 baza operacionale përgjatë kufirit me Kosovë. Dhe përderisa Serbia vazhdon të ketë qasje homogjeniste drejt fqinjëve të saj me lejoni të theksoj se Kosova nuk do të ketë kërcenim, por ne jemi të përgatitur të jemi miq të gjithëve”, ka theksuar ai.
Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ka deklaruar se FSK-ja nuk do të aftësohej pa mbështetjen nga vendet aleate.
“Kërkoj nga ju mbështetje, sepse duke u stërvitur dhe aftësuar së bashku ne rrisim gatishmërinë e vendeve tona ndaj kërcënimeve në rritje të sigurisë. Jam i sigurt që ju si përfaqësues ushtarak jeni të informuar për rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës. FSK së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes ka qenë në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. Rasti i sulmit të fundit si zhvillim i sigurisë në botë, janë të tregues të qartë që FSK duhet të jetë çdo herë e gatshme të kryej misionin e saj Kushtetues dhe ligjor”, theksoi ai.
Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka shtuar se janë të gatshëm të mbështesin një forcë shumë-etnike ushtarake për Kosovën. Ai tha se SHBA ka dhënë ndihmë mbi 23 milionë FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e FSK përmes asistencës dy palëshe ShBA dhe Kosovë. Një ndër prioritetet tona strategjike është që të mbështesim planin 10 vjeçar të FSK-së në force racionale, shumetnike, te veprueshme, e aftë për të kryer mision mbrojtës dhe mbikëqyrje civile, një qëllim aq i rëndësishëm që dua të them se ne kemi mbështetur dhe jemi të gatshme të mbështesim një tranzicion një forcë profesionale shumë etnike, ndërvepruese me NATO, të aftë për të kryer veprime nën mbikëqyrjen civile i cili është rol i përshtatshëm për një forcë ushtarake dhe shtet demokratik. Gjithashtu gjatë këtij viti 47 oficerë të FSK-së përfituan arsimim, profesional ushtarak në shkollat ushtarak në ShBA krahë për krahë me homologët e tyre amerikanë, dhe ata kanë zhvilluar aftësitë e tyre. Gjithashtu kemi financuar ose së shpejt do të financojmë pesë këshilltarë në fushën e komunikimit të strategjisë inteligjencës dhe sigurisë kibernetike. Këta ekspertë janë këtu në ministri dhe ofrojnë praktikat e tyre dhe këshillat e tyre më të mira për të ndihmuar Kosovën për të gjitha këta sektorë”, ka theksuar Hovenier.
Ambasadori i Gjermanisë, Joern Rohde, u shpreh se Gjermania vazhdon të jetë partnere e fuqishme e Kosovës.
“Gjermania është dhe vazhdon të jetë një partnere e fuqishme e Kosovës që nga pavarësia në të gjitha fushat dhe në këtë drejtim mbështesim gjithë procesin e transformimit të FSK-së. FSK është një partnere e shkëlqyeshme për këtë arsye më tej do të intensifikojmë bashkëpunimin ndërmjet ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë dhe FSK-së” tha Rohde.
Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, theksoi se Turqia do të jetë gjithmonë partnere e Kosovës për të forcuar bashkëpunimin për një të ardhme të ndritshme. Ai ka falënderuar ekipin e kërkim shpëtimit të Kosovës për ndihmën që u kanë ofruar gjatë tërmetit në Turqi.
“Turqia me 14 milionë dollarë ka mbështetur FSK-në dhe përafërsisht çdo ditë marrin pjesë në trajnime që ofrohen nga shteti i Turqisë për pjesëtarë të FSK-së. Ata janë trajnuar gjithashtu edhe nga ekipet trajnuese ushtarake edhe në Kosovë dhe 50 anëtarë të pjesëmarrësve të FSK-së kanë marrë trajtim mjekësor në Turqi, kjo na ndihmon neve që të forcojmë bashkëpunimin tonë. Turqia gjithmonë do të jetë një partner i besueshëm dhe Kosova do të ketë një të ardhme të ndritshme”, shtoi Angili
Zëvendësambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Paul O’Connor theksoi se KFOR-i britanik është i fokusuar përreth kufijve të Kosovës.
“...dëshiroj të ndërlidhem me përgjigjen e policisë së Kosovë se në lidhje me rastin e fundit në veri që ka bërë një punë të mrekullueshme dhe po ashtu vigjilencën e Forcës së Sigurisë së Kosovës që të ndihmojë popullatën në këtë drejtim”, tha O’Connor. /KP