Arbëri

Partitë opozitare në Prizren reagojnë për mos pastrimin e duhur të rrugëve nga bora

Degët e partive opozitare në Prizren kanë shprehur shqetësimin për mos pastrimin e duhur të rrugëve nga bora. Sipas tyre, në ditën e zgjedhjeve, shumë rrugë kanë mbetur të bllokuara.

Dega e PDK-së në Prizren përmes një reagimi ka shfaqur brengën për neglizhencën e pushtetit lokal në Prizren lidhur me pastrimin e rrugëve.

“Bora që ka ra dje dhe sot, ka bllokuar disa fshatra siç janë: fshatrat e Zhupës, Hasit, Vërrinit, por në gjendje jo të mirë janë edhe rrugët e qytetit. Deri në hapjen e kutive për votim, në rrugët e qytetit e aq më pak në rrugët e fshatrave, nuk është parë asnjë borëpastruese. Mos angazhimi i kompanive përgjegjëse për pastrimin e rrugëve as në këtë ditë të shënuar për Kosovën, dëshmon për papërgjegjësinë e pushtetit lokal, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryetari i Komunës z.Mytaher Haskuka. Rrugët në këtë gjendje jo të mirë, ia pamundësojnë qytetarëve të komunës, për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre dhe për t’i zgjedhur të preferuarit e tyre”, thuhet në reagimin e degës së PDK-së, me ç’rast i është bërë thirrje organeve komunale që ti kryejnë obligimet e tyre ndaj qytetarëve.

Edhe kryetari i degës së Nismës Socialdemokrate në Prizren, Zafir Berisha në rrjetet sociale ka shprehur qëndrimin se 90 për qind të rrugëve në Komunën e Prizrenit janë të pa pastruara nga bora. Sipas tij, disa fshatra të rajonit të Hasit, të Zhupës dhe të Vërrinit kanë mbetur të bllokuara.

Një ditë më parë edhe dega e LDK-së në Prizren përmes një komunikate pat theksuar se qytetarët e Komunës së Prizrenit po përballen me vështirësi në qarkullim. “Pushteti lokal sikur nuk ekziston, të gjitha rrugët janë të mbuluara me borë dhe akull dhe as që është ndërmarrë ndonjë veprim për pastrimin e tyre”, thuhej në komunikatën e LDK-së, ku kërkohej ndërhyrja e pushtetit qendror për t’i dalë në ndihmë qytetarëve të kësaj komune.