Për të dytën herë brenda një mandati, Partia Socialiste, ka ndërmarrë iniciativën për shkarkimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Partia e Edi Ramës ka mbledhur deri më tash rreth 50 nënshkrime të deputetëve për rrëzimin e Metës.
Në kërkesën për shkarkim thuhet se nisma vjen me qëllim të sigurimit të besueshmërisë së popullit tek Institucioni i Presidentit, pasi që sipas tyre, Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën, sidomos para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve duke i quajtur “shashka”.
“Të përqëndrohemi në mbylljen e procesit zgjedhor. Asgjë nuk ka përfunduar! Të vazhdojë administrimi i çdo kontestimi dhe ankese deri në rinumërimin e votës së fundit. Detyrë e të gjithë subjekteve të ndjekin procesin deri në fund. Mos u merrni me “shashka”, por me hetimin e krimeve zgjedhore!”, ka shkruar Meta.
Në nenin 90 pika 2 të Kushtetutës së Shqipërisë, thuhet se presidenti shkarkohet në rast se shkel rëndë Kushtetutën apo kryen një krim të rëndë.
Edhe
Partia Socialiste mbledh 47 nënshkrime për të shkarkuar Ilir Metën
“Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”, thuhet në Kushtetutën e Shqipërisë.
Për shkarkimin e Metës, duhet të votojnë dy të tretat e deputetëve nga 140 sosh sa ka gjithsej Kuvendi.