Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Partia e Jabllanoviqit: Përkrahja e VV-së në veri krahasueshëm me një “dasmë të vogël”

Partia e Serbëve të Kosovës në një komunikatë të lëshuar ka thënë se është dëshmuar të dielën se “Qeveria e Albin Kurtit nuk mund të organizojë zgjedhje në veri të Kosovës” dhe se ndikimi që Lëvizja Vetëvendosje ka në këtë pjesë është si i “një dasme të vogël të dobët”.

“Falënderojmë të gjithë mbështetësit dhe anëtarët e partisë sonë. Ne kemi treguar se serbët s’mund të detyrohen kundër serbëve. Qeveria e Albin Kurtit ka treguar se nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje në veri të Kosovës dhe se ndikimi i lëvizjes së tij Vetëvendosje në veri matet me një dasmë pak më të dobët. Na mbetet të shpresojmë se kjo komedi zgjedhore nuk do ta ketë vazhdimin e saj dhe se QUINT-i e ka kuptuar qëndrimin dhe vendimin e serbëve në veri të Kosovës. Falënderojmë Qeverinë e Serbisë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq që nuk na sulmuan dhe që u treguan të durueshëm dhe besuan se do të marrim vendimin e duhur në interes të serbëve dhe të paqes”, ka shkruar Partia e Serbëve të Kosovës në Facebook.

Jabllanoviq kishte qenë kandidat për kryetar në Leposaviq, por hoqi dorë nga pjesëmarrja në momentet e fundit.

Garën në Leposaviq e fitoi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Lulzim Hetemi, me 100 vota. Në Zubin-Potok fitoi Izmir Zeqiri i PDK-së me 196 vota. Në Zveçan fitoi Ilir Peci i PDK-së me 114 vota, ndërsa në Mitrovicë të Veriut ngadhënjeu Erden Atiq me 519 vota.