Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Parlamenti Studentor, kundër vendosjes së refugjatëve afganë në konvikte

Ndërsa institucionet nuk kanë sqaruar se si dhe ku do të akomodohen refugjatët e Afganistanit, kanë rrjedhur informacione se konvikti i studentëve mund të jetë njëri nga opsionet. Për këtë kanë reaguar përfaqësuesit e studentëve. Fatlind Azizi, nënkryetar i Parlamentit Studentor i Universitetit të Prishtinës, ka thënë se ata nuk po e kundërshtojnë ardhjen e shtetasve të Afganistanit në Kosovë, por se janë kundër që vendosja e tyre të bëhet në konviktet e studentëve

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës po e kundërshton idenë e strehimit të refugjatëve afganë në konviktet e studentëve, edhe pse për këtë gjë ende nuk ka asgjë zyrtare. Fatlind Azizi, nënkryetar i PS të UP-së, ka thënë se ata nuk po e kundërshtojnë ardhjen e tyre në Kosovë, por vetëm lokacionin, që sipas tyre, janë konviktet.

“Në fundjavën e kaluar nga burime të sigurta na është konfirmuar që Qendra e Studentëve po planifikohet të jetë një vend i strehimit të refugjatëve, këto të dhëna vetëm se u çimentuan me daljen mediave në të njëjtin njoftim. Në fillim ne reaguam në orët e mbrëmjes së të premtes ku kundërshtuam kategorikisht planin e institucioneve përgjegjëse për shndërrimin e konvikteve në kamp refugjatësh”, ka deklaruar Fatlind Azizi.

Ai më tej ka shtuar se banimi në konvikte ka kosto shumë më të ulët se sa banimi në banesa private.

“Fatkeqësisht, duke pasur vende e kampe të ndryshme në Kosovë, ideja e parë që u vjen në mend institucioneve është Qendra e Studentëve. Kjo qendër për nga vetë emri tregon që është e studentëve dhe e themeluar për të vetmen arsye që t’u shërbejë atyre. Këtu studentët banojnë dhe ushqehen me një kosto shumë të përshtatshme që përkthehet në një lehtësim tepër të madh, sidomos duke e marrë parasysh gjendjen ekonomike të shumicës prej familjeve kosovare”, është shprehur Azizi.
Ai ka paralajmëruar protesta, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga Qeveria e Kosovës.

E Altiana Zogaj, kryetare e këshillit studentor në Fakultetin Filologjik, ka deklaruar se strehimi i afganëve në konvikte i dëmton studentët financiarisht.

“Çmimet për banim në banesa këtu janë me të vërtetë shumë të larta, dhe duke pasur parasysh edhe mesataren e pagave me të cilat është Kosova, ajo mund të jetë e papërballueshme e sidomos për ata prindër që mundohen të shkollojnë tre apo katër studentë”, është shprehur Zogaj.

Kundër kësaj ideje ka dalë edhe organizata studentore “Studim, Kritikë, Veprim”

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme të refugjatëve afganë të cilët janë të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan është i drejtë, por Qendra e Studentëve nuk është opsion për vendosjen e tyre”, kanë thënë nga kjo organizatë përmes Facebookut.

Bardh Ahmeti, njohës i çështjeve ekonomike, ka thënë se me ardhjen e refugjatëve nga Afganistani, nuk do të ketë kosto të lartë financiare.

“Nëse shohim prononcimin e Qeverisë së Kosovës, i bie që nuk do të ketë kosto financiare ardhja e emigrantëve nga Afganistani në Kosovë, pasi që kostoja për akomodimin e tyre do të jetë e mbuluar nga shteti i Amerikës. Por, përtej kësaj po ta bënte Qeveria e Kosovës mbulimin e kostos, siç është e rregulluar me ligjin për të huajt atëherë nuk do të kishte ndonjë vlerë të madhe financiare”, ka deklaruar, Ahmeti.

Qytetarët janë shprehur pro ardhjes së tyre në Kosovë.

“I kishim përshëndetë edhe i kishim pranuar si refugjatë, të rrinë qetë sikur na që kemi nejtë qetë në vende të tjera edhe mirë i presim”, është shprehur Ragip Mehmeti nga Prishtina.
Tahir Makolli qytetar i Prishtinës, ka thënë se bashkëndien me popullin afgan.

“Ajo është një bamirësi e mirë, se vetë e kemi përjetuar sikur ata. Brenda mundësive duhet t’u ndihmojmë”, është shprehur Makolli

E Hysen Cernaveri, ka krahasuar Kosovën e viteve 90-ta, me gjendjen e tanishme të Afganistanit.
“Për mendimin tim, është një rol pozitiv i Qeverisë së Kosovës, sepse ne vetë qytetarët e Kosovës në vitet 99 ku kemi qenë, populli afgan nuk ka faj që ka qeveri talebane”, është shprehur Cernaveri.

Në një përgjigje me shkrim nga zyra e presidencës është thënë se edhe pse Presidentja ka folur për këtë çështje, akomodimi i afganëve në Kosovë është kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

KOHA i ka dërguar pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Jashtme në lidhje me ardhjen e refugjatëve nga Afganistani, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Artikuj të ngjashëm