Arbëri

Paralajmërohet rritje e presionit ndaj Kosovës në raundin e ardhshëm të bisedimeve

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar sot që deri në arritjen e një marrëveshjeje të përgjithshme do të ketë reciprocitet mes Kosovës e Serbisë. Pas dakordancës për dokumentet e hyrje-daljes, arritja e një marrëveshjeje për targa vlerësohet se do të jetë shumë me e vështirë, e presioni sipas njohësve, do të jetë tek pala e Kosovës

Në mungesë të një marrëveshjeje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme, mes Kosovës e Serbisë do të ketë reciprocitet, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ai ka folur për dialogun e nga aty zgjodhi që t’i njoftojë liderët e partive opozitare se do t’i ftojë në takim, për të diskutuar për bisedimet në Bruksel.

“Në takimin e fundit në Bruksel kam prezantuar një kornizë të përgjithshme me 6 kapituj, me shumë elemente, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për t’u takuar edhe më shpesh, në mënyrë që ta finalizojmë këtë marrëveshje. Por në mungesë të marrëveshjes, do të ketë reciprocitet të plotë i cili do të vendoset gradualisht. Reciprociteti në marrëdhënie diktohet nga sovraniteti ynë. Ne nuk mund të mos e ushtrojmë sovranitetin të cilin e kemi shpallur, njëjtë siç nuk mund të sillemi neutral ndaj vetes apo të marrim vendime të cilat krijojnë dualizëm në sistemin tonë ligjor”, ka thënë Kurti.

Kurti në këtë adresim nuk foli specifikisht për marrëveshjen e arritur për dokumentet e hyrje-daljes.

Këtë marrëveshje presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e quajti marrëveshje të lehtë për të gjithë, sepse ishte nënshkruar më 2011, në kuadër të dialogut në Bruksel.

Për çështjen e targave, më gjatë foli drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Në një intervistë për televizionin shtetëror të Serbisë, ai po ashtu tha se marrëveshja e arritur për dokumentet për hyrje-dalje midis Kosovës dhe Serbisë, siguron paqe dhe stabilitet.

“Neve na presin biseda për çështjen e targave, ku gjendja është mjaft e vështirë, pasi që Albin Kurti refuzon t’i pranojë targat KM dhe pasi që serbët e Kosovës nuk do të heqin dorë prej këtyre targave, pasi që duan që në parimin e njëjtë si për letërnjoftimet të zgjidhet edhe çështja e targave”, ka thënë Petkoviqi.

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, pret që në rundin tjetër të rritet presioni ndaj Kosovës.

“Pas arritjes së pajtimit rreth dokumenteve dhe kalimit të kufirit, fokusi tash do të jetë në gjetjen e një marrëveshjes për targat por do të ketë edhe presion për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Vetë fakti që përfaqësuesi i lartë, Joseph Borell, në mënyrë të veçantë ka falënderuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për arritjen e kompromisit lë të nënkuptohet që në çështje të tjera pritët të jetë presioni me i madh te pala kosovare. Në BE për momentin nuk kanë konfirmuar që do të ketë takim, por kanë pohuar që edhe Kurti e edhe Vuçiq janë pajtuar të takohen një herë në muaj”, ka thënë Palokaj.

Vendimi për targat dhe dokumentet serbe, i marrë në qershor nga Qeveria e Kosovës, kishte shkaktuar reagime të ashpra nga serbët në veri, të cilët ngritën barrikada në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht. Kjo bëri që diplomatët amerikanë dhe evropianë përfshiheshin për arritjen e një marrëveshjeje dhe për t’i shmangur trazirat eventuale në veri. Përderisa për dokumentet e hyrje-daljes ka tashmë dakordancë, ende nuk ka një marrëveshje për targa.