Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Reciprociteti për targat nuk do të bëhet kundër serbëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se reciprociteti që pritet të nisë nga shtatori për çështjen e targave ndaj qytetarëve serbë, nuk do të bëhet kundër serbëve.

Ai tha të dielën në “BBC World Service” se kjo është për respektim të ligjit e të reciprocitetit.

“Më 1 tetor shpresojmë që të mos kemi dokumente që nuk janë legjitime, pos atyre të njohura si RKS apo Republika e Kosovës. Një gjë e tillë nuk është kundër serbëve, por po bëhet për respektim të ligjit dhe të reciprocitetit”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, një nga faktorët që çoi në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve, është se më 1 gusht, Kosova ua lëshoi serbëve mbi dymijë dokumente me mbishkrimin “Republika e Kosovës”. Sipas tij, lëshimi i dokumenteve për 19 orë, u krye pa incidente e ankesa.

Kurti tha se për marrëveshjen e arritur të shtunën (27 gusht), kontribuuan shefi i BE-së për Politikën e Jashtme, Joseph Borrell, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kurti falënderoi edhe popullin e Kosovës për durim dhe mbështetje.

Sipas tij, Beogradi zyrtar po insiston në një lloj kompensimi për humbjen e Kosovës, e kjo sipas Kurtit, nuk po bëhet publikisht dhe zëshëm.

Edhe Kurti beson se s'do të ketë nevojë për reciprocitet, sheh reflektim te Serbia Arbëri Kurti beson se s'do të ketë nevojë për reciprocitet, sheh reflektim te Serbia

Ai u shpreh se pas përfundimit të luftës, një pjesë e serbëve mbeti në Kosovë, duke i shfrytëzuar dokumentet dhe targat e kohës së ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq.

“Milosheviqi nuk e nisi luftën vetëm ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës, por edhe ndaj 19 shteteve anëtare të NATO-s”.