Arbëri

Paralajmërohen diskutime mes bllokut opozitar rreth propozimit të një kandidati për president

Partitë që e përbëjnë bllokun opozitar nuk kanë pranuar ftesë nga kryeministri, Albin Kurti, për diskutimet e paralajmëruara lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit. E në AAK kanë paralajmëruar një diskutim tjetër, në të cilin pritet të përcaktohet nëse opozita do të dalë me një kandidat të vetin për këtë post

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon që, bashkë edhe me dy partitë e tjera në opozitë, ta sfidojë presidenten Vjosa Osmani në garën për edhe një mandat në krye të shtetit.

Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar se së shpejti do të zhvillohen takime për të përcaktuar nëse blloku opozitar do të dalë me një kandidat për postin e presidentit.

“Na duhet ta bëjmë një diskutim bukur serioz me partitë që kem qenë bllok opozitarë për shkak se si subjekte politike ne i kemi mbi 40 nënshkrime që nënkupton me 30 nënshkrime mund ta kemi një kandidat. Deri më tani, kjo nuk ka ndodhë. Ka pasur një tentim nga z. Haradinaj dhe nga ne si Aleancë me pas një diskutime rreth kësaj teme. Nuk ka ndodhur për shkak se ka qenë konstituimi i Kuvendit”, ka thënë Tahiri.

Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se, pas miratimit të buxhetit të sivjetmë e edhe marrëveshjeve ndërkombëtare, është i gatshëm që t’i nisë diskutimet me partitë politike për çështjen e presidentit.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i ka thënë KOHËS se ende nuk ka pranuar ftesë për takim nga Kurti, ndërsa nuk e ka ndarë qëndrimin e partisë lidhur me çështjen.

Ftesë nuk kanë pranuar as në Lidhjen Demokratike.

“Me aq sa jam unë e informuar nuk kemi marrë ftesë. Po, sa ta marrim, do të japim edhe përgjigje për këtë”, ka thënë Jehona Lushaku, shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së.

Lidhur me zgjedhjen e presidentit, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se diskutime për këtë fillimisht do të ketë brenda partisë.

Një ditë pas paralajmërimit për zhvillimin e diskutimeve për presidentin, kryeministri Kurti ka udhëtuar për në Munih të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë, që ka nisur të premten e do të përmbyllet të dielën.

Të enjten, pjesëmarrjen në këtë ngjarje e ka anuluar presidentja Vjosa Osmani me arsyetimin e “angazhimeve institucionale dhe prioriteteve që lidhen me zhvillime brenda vendi”.

Osmani e ka shprehur haptas synimin për edhe një mandat në krye të shtetit, pas përfundimit të këtij aktual në fillim të prillit.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Osmani është zgjedhur presidente më 4 prill të 2021-s, ndërsa detyrën e mori një ditë më pas.