Arbëri

Para takimit në Bruksel, Stoltenbergu takon Kurtin e Vuçiqin veç e veç

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 17 gusht do të mbajë takime të ndara në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Këto takime do të mbahen vetëm një ditë para rundit të ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Sipas njoftimit për media nga aleanca ushtarake e NATO-s, Stoltenbergu fillimisht do të takohet me Vuçiqin dhe më pas me Kurtin.

Pas çdo takimi të ndarë janë paraparë të mbahen edhe konferenca për media.

Takimi mbahet disa javë pas tensioneve në veri të Kosovës kur serbët lokalë bllokuan rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak duke kundërshtuar vendimet e Qeverisë për targat dhe dokumentet.

Me ngritjen e tensioneve, NATO-ja më 31 korrik tha se misioni i saj në Kosovë, KFOR, është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në vend. Stoltenberg e pati thënë të njëjtën në bisedën me Vuçiqin.

Qeveria e Kosovës me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve shtyu zbatimin e vendimeve për 30 ditë.