Të enjten do të mbahet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetari i Kuvendit. Por përfaqësues të koalicionit PDK-AAK dhe Nisma nuk e përjashtojnë mundësinë, që po të njëjtën ditë të hidhet në votim edhe Qeveria e Kosovës.
Por koalicioni ende nuk ka ndarë dikasteret që do të udhëheqin nga secila partitë që janë bërë bashkë në koalicionin parazgjedhor.
Të paktën kështu kanë deklaruar zyrtarë të Nismës, PDK-së dhe AAK-së për KosovaPress.
Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj shprehet i bindur se Qeveria do të formohet së shpejti, por thotë se ende nuk i kanë caktuar ministritë, të cilat do t’i udhëheqin partitë, që janë pjesë e koalicionit PAN. Ai thotë se këtë do ta bëjnë në ditët në vazhdim.
“Nuk i kemi caktuar ende Ministritë. Besoj që në ditët në vazhdim do të merremi me këtë çështje”, tha ai.
Edhe deputetja e PDK-së Blerta Deliu Kodra, thotë se ende nuk kanë diskutuar, se cilat Ministri do t’i udhëheq PDK-ja pas formimit të Qeverisë.
Ndërsa thotë se partnerët e koalicionit, janë në takime të vazhdueshme lidhur me diskutimet për Qeverinë e ardhshme dhe për përbërjen e saj .
“Çështja e ndarjes së ministrive do të jetë çështje e cila do të diskutohet ndërmjet partnerëve të koalicionit PAN. PDK-ja po zhvillon takime brenda strukturës së saj . Është e rëndësishme ajo që e thash edhe më herët që të ri përsëritet, që është një vullnet i mirë i gjithë anëtarësisë së PDK-së që i përkrah fuqishëm krijimin e institucioneve të reja të vendit. Nuk është diskutuar ende lidhur me cilat do të jenë ministrisë cilat do t’i udhëheq PDK-ja dhe emrat të cilët do t’i marrin këto ministri. Por po e them që nuk është e rëndësishme, se cilët do të jenë emrat. E rëndësishme është që ka një disponim të mirë brenda strukturës së partisë, për konstituimin e institucioneve të reja të vendit...Partnerët e koalicionit janë në takime të vazhdueshme lidhur me diskutimet për Qeverinë e ardhshme për përbërjen e saj . Unë besoj që ne në afate të caktuara kohore do të d alim edhe me qëndrime të kryesisë së PDK-së lidhur me përbërjen e re të Qeverisë së Kosovës. Por ajo që duhet të thuhet është që takimet janë duke u zhvilluar ndërmjet gjithë përfaqësuesve të koalicionit PAN dhe brenda afateve të caktuara kohore do të dalim edhe me përbërjen e re të Qeverisë së Kosovës”, tha Deliu-Kodra.
Edhe Avni Arifi nga AAK thotë se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim në lidhje me emrat e mundshëm për ministra apo zëvendësministra.
“Nuk kemi asgjë konkrete tani për tani. Jemi duke punuar në këtë drejtim, por ende nuk kemi diçka që të deklarohemi për media”, tha Arifi nëpërmjet telefonit.
Koalicioni PAN kandidatin për kryeministër e ka kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj ndërsa është përfolur se Nismës do t’i takojnë zëvendëskryeministri dhe dy Ministri.