Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, dhe drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, kanë ngritur shqetësime lidhur me të bërit biznes në Kosovë, duke paralajmëruar rrezikun e largimit të kompanive vendore drejt shteteve të rajonit.
Sipas tyre, vendimi për dalje në treg të hapur të bizneseve të mëdha po u sjell këtyre të fundit telashe.
“Nuk është e drejtë prej institucioneve t’i shtyjnë bizneset në kësi aventura. Kompanitë tentojnë ndoshta edhe të bëjnë ndarjen në dy-tri kompani për ta ulur qarkullimin ose numrin e punëtorëve. Ne po i humbasim bizneset më të vlerësuara në rajon,” ka deklaruar Rafuna.
Ai ka përmendur se vetëm gjatë viteve të fundit është vërejtur rritje e investimeve të bizneseve kosovare në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, vende që, sipas tij, po ofrojnë kushte më konkurruese për afaristët.
Ndërkohë, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, ka kritikuar autoritetet për mosbashkëpunim me sektorin privat.
“Me të gjitha këto veprime që ka bërë Qeveria, nuk është partner i sektorit privat. Kemi kompani që ka kërkuar nga ZRRE kapacitete për prodhim të energjisë për nevoja vetanake nga panele solare dhe ZRRE ia ka kthyer dhe nuk e ka lejuar ta bëjë një investim të tillë,” ka thënë Ahmeti.
Ai ka bërë të ditur se disa kompani kosovare kanë pranuar oferta zyrtare nga shtetet fqinje, që përfshijnë lehtësira të shumta për hapjen e bizneseve të reja ose transferimin e një pjese të operacioneve jashtë Kosovës.
Rafuna: Si Odë s'kemi as shkresë nga ZRRE-ja për dalje në treg të hapur, u njoftuam nga mediat
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se nuk kanë pranuar asnjë shkresë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për dalje në treg të hapur.
Sipas tij, kjo odë por edhe vetë bizneset, për këtë rast janë njoftuar nga mediat.
“As nuk kemi pasur komunikim dhe më duhet të them për herë të parë për hir të transparencës që edhe në këtë rast ne jemi informuar përmes mediave, nuk e kemi një shkresë nga ZRRE-ja, e cila u është drejtuar Odës ekonomike, bizneseve, përfaqësuesve, pra as ata nuk e kanë një shkresë protokollare, zyrtare, me të cilën kërkohet që të njoftohen bizneset që duhet të dalin në tregun e lirë”, ka thënë ai.
Rafuna ka shtuar se ZRRE-ja do të duhej t’i njoftonte së paku një vit më herët, pasi çdo biznes planin afatshkurtër e përgatit për një vit.
Ai ka shtuar se ky vendim ndikon te të gjithë sektorët, por më së shumti te ai i prodhimit.
“Ndikon te të gjithë sektorët, por sektori prodhues është ai që është më i ndjeshëm sepse prodhimi është ai që ta shton eksportin dhe ta ndryshon bilancin tregtar. Kërkesa jonë dhe e bizneseve është që të na jepet një periudhë tranzicioni njëvjeçar”, ka thënë ai.
Ahmeti: ZRRE-ja e KESCO shkelën ligjin, duke kërkuar sekrete të bizneseve
Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës Kushtrim Ahmeti, ka thënë se Zyra e Rregullatorit për Energji dhe KESCO kanë shkelur ligjin.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, ai ka thënë se kjo shkelje u bë duke ua kërkuar sekretin tregtar bizneseve.
Ai ka shtuar se vetëm një ditë pas reagimit të tyre, KESCO ka dalë me vendim të ri për të mos ua kërkuar atyre hyrje-daljet, me arsyetimin se mund t’i gjejë te ATK-ja.
“Një prej shkeljeve që i konsideroj goxha të mëdha është shkelja e ligjit ose sekretit tregtar. KESCO u ka kërkuar bizneseve në fillim që të dërgojnë edhe hyrje-daljet, që ka qenë shumë e çuditshme kjo situatë dhe pas reagimit që kemi bërë ne, iu kemi drejtuar zyrtarisht edhe ZRRE-së edhe KESCO-s, e një ditë më pas KESCO del me vendim të ri dhe thotë se nuk po ia kërkojnë sekretin tregtar, e gjejmë atë te ATK-ja”, ka thënë ai.
Ajvazi: Prej 19 operatorëve vetëm KESCO ka ofertë dhe çmimi - 270% më i lartë
Kushtrim Ajvazi, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, ka thënë se janë gjithsej 19 operatorë të licencuar, por se KESCO ka qenë i vetmi që është përgjigjur pozitivisht për furnizim me energji për bizneset e mëdha.
Megjithatë, shqetësimi nga bizneset është ngritur kur është dërguar çmimorja për këtë shërbim me deri 270% më shtrenjtë, ka shtuar Ajvazi.
“ZRRE-ja na ka njoftuar që janë 19 operatorë të licencuar dhe të gjithëve iu kemi dërguar email zyrtare. Nga emailet që i kemi pranuar, është i vetmi KESCO ka qenë në gjendje të thirrë takim dhe të flasë për çmime. Shqetësimi i madh ka ardhur kur kemi marrë çmimoren. Çmimoret variojnë nga 200 deri 260-270%. Oferta konkrete përveç KESCO-s nuk ka. KEK-u është përgjigjur se nuk mundemi t’iu furnizojmë sepse i gjithë furnizimi jonë është i dedikuar në KESCO. Kemi pasur përgjigje nga një kompani që na ka njoftuar se e përdorë vetëm për nevoja të veta. Së fundmi e kemi pranuar edhe një Noa Energy që na njoftoi se nuk është e interesuar të ofertojë këtë vit”, ka thënë ai.
Palushi: Rryma për bizneset deri në 260% më e shtrenjtë, oferta na erdhi nga KESCO
Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”, ka thënë se për bizneset e mëdha rryma do të jetë më e shtrenjtë, mbi 200 për qind. Ai ka theksuar se për prodhuesit vendorë kjo mund të jetë sfiduese e madje mund t’ua rrezikojë ekzistencën.
“Ne nuk kemi pritur që do të ketë një rritje kaq të jashtëzakonshme që prek shifrën mbi 200%, varion nga 200 deri në 260%, dhe kjo na shqetëson sektorin prodhues. Për shumë prodhues, sidomos prodhues që gjenden financiarisht me qëndrueshmëri të fortë mund të rrezikojë ekzistencën e tyre apo të ndikojë në zvogëlimin e të punësuarve”, u shpreh ai në “Konfront”.
Palushi ka shtuar se edhe pse është përmendur si treg i hapur, kompanisë së tij i ka ardhur ofertë vetëm nga KESCO.
“Neve na është detyruar të dalim në tregun e hapur, por në fakt kemi vetëm një ofertues dhe këtu nuk shoh liberalizim të tregut. Kemi marrë të vetmen ofertë nga ana e KESCO-s dhe është për 225%”.