Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Palokaj: Putini po shihet si një Hitler i Evropës moderne

Korrespodenti i KTV-së në Bruksel, ka deklaruar se zhvillimet e fundit në Ukrainë, e bëjnë presidentin rus, Vladimir Putin, të shihet si një Hilter i Evropës moderne, e njëkohësisht si një rrezik shumë serioz.

Ai deklaroi se Bashkimi Evropian dhe NATO kanë ftuar mbajtjen e samiteve të jashtëzakonshme, derisa sipas tij, shumica dërrmuese e shteteve tashmë e kanë dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës.

“NATO i ka forcuar trupat, shtetet baltike si Polonia e Rumania kanë thirrur që të aktivizohet neni i katërt i NATO-s, që thërret për konsultime kur rrezikohet siguria e çfarëdo shteti anëtar. Për Ukrainën ky është ai egoizmi i NATO-s dhe po e paguan çmimin. NATO-ja ka deklaruar se nuk do të përballet me Rusinë për shkak të Ukrainës, shteti më problematik ka qenë Gjermania që nuk ka pranuar t’i ndihmojë Ukrainës me armatim. Ukraina s’ka marr armatimin e duhur për t’u mbrojtur”, deklaroi Palokaj.

Ai potencoi se Evropa, meqë s’mund të ndihmojë në aspektin ushtarak, të paktën të kërkojë hapjen e kufijve për pranim të emigrantëve. Sipas korrespodentit në Bruksel, NATO do të reagojë vetëm nëse sulmohet ndonjë shtet anëtar i saj.

“Ka në BE dhe në NATO një shqetësim për një destabilizim të Ballkanit. Në NATO janë më të përmbajtur në këtë. Me përjashtim të Serbisë, të gjithë e kanë dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës. Ajo që kemi dëgjuar nga NATO është se mbetet konsistente në politikën e saj në Ballkan. 500 ushtarë shtesë në misionin e EUFORIT në Bosnje, një mision i BE-së mirëpo shtimi i trupave atje çon përkushtimin e BE-së për shtrirjen e integritetit dhe sovranitetit atje”, tha ai.

Ndërsa në anën tjetër, sipas profesorit universitar Besfort Rrecaj, ka pasur një neglizhencë të perceptimit të politikave të presidentit Putin, derisa tha se inteligjenca amerikane ka qenë e aftë t’i ndjekë “vendimet dhe mendimet e Putinit”.

“Perëndimi ndoshta ka pasur informata se mund të ndodhë një gjë e tillë, por karshi një Rusie të tillë, nuk ka dashur që të hapë panik. Një pjesë e sulmeve në drejtim të Kievit kanë ardhur nga veriu i Ukrainës, nga Bjellorusia. Këtu kemi involvimin e dy shteteve evropiane. NATO është aleancë mbrojtëse dhe ndoshta në këtë aspekt njëra e ka një hendikep, OKB-ja një tjetër. NATO-ja s’mund të ndërhyjë në një shtet që s’është anëtare e NATO-s”, tha Rrecaj.

Edhe OpEd Si të rritet bashkëpunimi NATO-BE?

Ai përmendi edhe faktin që Rusia posedon armatim bërthamor, e kjo sipas tij, do e shtonte rrezikun rus.

“Putini ka luajtur me kartën e gazit dhe të tjera, Italia ka qenë jashtëzakonisht hezituese, Gjermania ka dhënë arsyetime të saj. Veprimi rus vetëm do ta forcojë aleancën e NATO-s, integritetin e saj, ndërveprimet e BE-së që të kenë politika më të fokusuara. SHBA-ja në vazhdimësi ia ka tërhequr vërejtjen Gjermanisë që të mos krijojë varshmëri ndaj Rusisë. Politika e Putinit karshi fqinjve është si në vitet e 90-ta, ai po e ka doktrinën që njihet si ‘fqinjësi e afërt’. Tash nëse ka arritur diçka ky konflikt, është që shtetet duhet të pozicionohen. Në këtë rast, Turqia është pozicionuar, Serbia jo ende, nështë në pozicion të vështirësi, e din që s’mund të pozicionohet karshi Rusisë, sepse po të kishte konsekuenca jashtëzakonisht nga BE-ja”.