Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se pas arritjes së marrëveshjes për energjinë midis Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian beson se mund të krijohet mundësia për të thirrur takim edhe në nivel të lartë midis dy palëve për dialogun. Në një lidhje direkte të martën në emisionin 60 Minuta të KTV-së, Palokaj ka thënë se synimi është që ky takim të thirret para pushimeve të verës “në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit korrik”.
“Sa i përket temave tjera, është diskutuar për një deklaratë të përbashkët për temat e të pagjeturve, është diskutuar edhe për përgatitjen e një takimi në nivel të lartë mes Kurtit dhe Vuçiqit”, ka thënë Palokaj.
Ai ka shtuar se që nga mandati i të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk është arritur asnjë marrëveshje, ndërsa kjo e së martës nga ai është quajtur hap i madh përpara në dialog.
“Tash do të jetë në duar të Lajçakut dhe BE-së për të shtyrë përpara procesin dhe për të folur konkretisht se cila palë është pengesë për zbatimin e saj”, ka thënë ai.
Palokaj është deklaruar edhe rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, për çka tha se “ajo që po flitet është se nga Samiti i Bashkimit Evropian, nga takimi në nivel të lartë të enjten dhe të premten mund të jepet një sinjal apo një mbështetje politike nga niveli më i lartë, që mund të shtyjë përpara procesin edhe në trupat punuese të institucioneve të BE-së, procedurë kjo që do të zgjasë disa javë”.
“Prandaj optimizmi që ekziston ka të bëjë me porositë politike nga niveli më i lartë se mbështetet liberalizimi i vizave, aty mund të shihet se nuk ka më pengesa nga Franca apo Holanda, pastaj gjatë kryesimit të Çekisë me BE-në të përmbyllet procedura që dikur në vjeshtë apo në fund të vitit të liberalizohen vizat”, ka deklaruar Palokaj.
Edhe
Pak pritje nga takimi i së enjtes mes kryenegociatorëve
Sipas tij, deri tani nuk ka pasur vullnet politik që kjo të ndodhë, tani ka një optimizëm të madh për këtë çështje, por nuk mund të pritet që vendimi të merret pasnesër dhe vizat të hiqen.