Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se mund të cilësohet qesharak qëndrimi i zyrtarëve të Bashkimit Evropian se situata aktuale politike në Kosovë mund të shkaktojë vonesa në procesin e dialogut me Serbinë, që ka nisur tash e 15 vjet.
Të mërkurën në Prishtinë, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, u shpreh se gjërat në dialog mund të marrin “më shumë kohë” për shkak të situatës politike.
“Është nganjëherë edhe pothuajse qesharake që të dëgjojmë nga zyrtarët e BE-së se mund të ketë vonesa në dialog për shkak të situatës në Kosovë apo situatës në Serbi sepse fjala vonesë për proces që po zgjat tash e 15 vite gati është pothuajse e tepruar”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Palokaj ka thënë se edhe çështja e arrestimeve të fundit të kosovarëve në Serbi tregon brishtësinë në dialog. Ai ka thënë se dialogu që nga fillimi nuk është ndërtuar në shtylla të qëndrueshme.
E sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po shfaqin interesim për të qenë pjesë aktive e dialogut. Ka shtuar se e njëjta situatë ka qenë edhe gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump, e madje edhe nën administratën Biden. Palokaj ka thënë se SHBA-ja ua ka bërë të ditur Kosovës dhe Serbisë se dëshiron raporte me të dyja shtetet e se raportet me njërin shtet nuk ndikojnë në raportet me tjetrin. Palokaj ka vlerësuar se presioni amerikan në dialog përdoret vetëm ndaj Kosovës dhe se kjo është mirëpritur në vazhdimësi nga BE-ja.
Në Kosovë aktualisht nuk ka Kuvend të konstituuar, që nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Kuvendi është në ngërç pasi që s’po arrin ta zgjedhë kryeparlamentarin e ri. Situata mund të marrë epilog ditët në vijim, kur përfundon afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese se si duhet të veprohet tutje.