Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Palokaj: Dialogu Kosovë-Serbi dhe liberalizimi i vizave s’janë të ndërlidhura mes vete

Autori i raportit “Liberalizimi i vizave për Kosovën – Finalja e madhe”, Augustin Palokaj, njëherësh edhe korrespondent i KOHËS në Bruksel, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk janë të ndërlidhura mes vete.

I ftuar të hënën në emisionin “60 Minuta” në KTV, Palokaj ka thënë se as ekipet të cilat merren me dialogun, nuk janë të njëjtat me ato që merren me liberalizim të vizave.

Ai ka thënë se një rast i tillë mund të ndodhë vetëm në rast të përshkallëzimit të situatës në veri, që mund të çojë në migrim masiv të kosovarëve, por jo në ndonjë rast tjetër.

“Dialogu dhe liberalizimi nuk janë të ndërlidhura me vete. Në rast se për shkak të dialogut mund të ketë tensionim në Kosovë dhe ai tensionim ndikon si shtytje për migrim masiv, kjo mund të ketë ndikim në liberalizimin e vizave, por jo të lidhet direkt me dialogun”, ka thënë ai.

Sipas Palokajt, ka vullnet politik te të gjitha vendet anëtare të BE-së për liberalizim të vizave për kosovarët.

Edhe Palokaj: S’pritet që BE-ja t’i heqë masat ndaj Kosovës para 28 dhjetorit Arbëri Palokaj: S’pritet që BE-ja t’i heqë masat ndaj Kosovës para 28 dhjetorit

“Është e qartë që ekziston vullnet politik te të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian në nivelin më të lartë për t’u liberalizuar vizat, duket se kjo tashmë është çështje e mbyllur sa i përket miratimit të vendimit, por kjo finalja e madhe po ndodh sikur në futboll pas loje të ketë edhe vazhdime e pas vazhdimeve referi mund të ketë edhe kohë shtesë, ne jemi në atë kohën shtesë. Nëse deri pasnesër në orën 14:00 asnjë shtet anëtar nuk jep vërejtje, do të kalojë në grupin punues propozimi i Presidencës çeke që të miratohet vendimi për liberalizim të vizave me afatizim të hyrjes në fuqi, ose kur të hyjë në fuqi sistemi ETIAS, ose në çfarëdo rasti jo më vonë se 1 dhjetor të vitit që vjen”, ka thënë ai.

Palokaj ka shtuar se sistemi ETIAS është dashur të ishte funksional disa kohë më parë, por është shtyrë disa herë sepse përgatitja e tij është çështje teknike.

“Hyri apo jo ETIAS-i në fuqi më 1 nëntor, liberalizimi i vizave nisë më së voni më 1 dhjetor të vitit që vjen”, u shpreh ai.

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel ka theksuar se Kosova duhet të ketë kujdes sepse një ditë kur të liberalizohen vizat në rast se do të ketë keqpërdorime masive, mund të kthehen sërish vizat.

Sipas tij, liberalizimi i vizave për Kosovën është lehtësim i madh edhe për Serbinë.

Edhe Palokaj s’pret që masat e BE-së ndaj Kosovës të hiqen së shpejti Arbëri Palokaj s’pret që masat e BE-së ndaj Kosovës të hiqen së shpejti

“Qytetarët serbë të Kosovës që kanë dy shtetësi, për ta nuk vlen liberalizimi i vizave, i cili vlen për Serbinë. Ata që kanë pasaporta të Serbisë por janë banorë të Kosovë, nuk mund të lëvizin pa viza”, ka thënë ai.

Palokaj ka shtuar se edhe Spanja do të jetë e obliguar si të gjitha vendet tjera të BE-së që ta respektojë vendimin, madje edhe nëse është kundër vendimit.


Palokaj: BE-ja mban pozicion të çuditshëm për targat

Sa i përket situatës së krijuar në veri të vendit, Palokaj ka thënë se Bashkimi Evropian ka një pozicion të çuditshëm lidhur me targat.

“Kemi hyrë në një territor shumë të panjohur tash me këto zhvillime që kanë ndodhur. Në anën tjetër BE-ja ka një pozicion të çuditshëm, thotë se ju keni të drejtë por shtyjeni, por nuk tregon se çfarë pas shtyrjes. Serbia e pranon që nuk është problem koha, por për të është e papranueshme që të zëvendësohen të gjitha targat. Ata duan targa neutrale ndaj statusit. Autoritetet e Kosovës pas vitit 2008 nuk mund të japin targa neutrale, nuk mund të jetë neutrale ndaj statusit të vetvetes”, ka thënë ai.

Edhe Palokaj: Suspendimi i liberalizimit të vizave s’është opsion si masë ndaj Kosovës Arbëri Palokaj: Suspendimi i liberalizimit të vizave s’është opsion si masë ndaj Kosovës

Palokaj ka theksuar se sfida më e madhe do të jetë krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Nëse formohet ky Asociacion, ku do të jetë ai asociacion? Në Kosovën si shtet, pa status apo në Kosovë e Metohi si pjesë e Serbisë? Prandaj mund të ndodhë që negociatat për formimin e asociacionit të lidhen me negociatat për marrëveshjen përfundimtare”, është shprehur ai.