Arbëri

Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e tetë muaj burgim për 53-milionëshin

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me 3 vjet e tetë muaj burgim për rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Ai është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e dëmtim me dashje të buxhetit të shtetit.

Lekaj është dënuar edhe me dënim plotësues, që ia ndalon për 3 vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit publik në administratë publike.

Bashkë me të janë dënuar edhe ish-sekretari i Ministrisë Nebih Shatri me një vit e tetë muaj, drejtori i Prokurimit Besim Tahiri me një vit e tetë muaj burgim dhe këshilltari Eset Berisha me 3 vjet e tre muaj.

Në deklarimet e tyre paraprake të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Avokatët e të dënuarve kanë deklaruar pas vendimit se do ta apelojnë në Gjykatën e Apelit.

Vite me parë KOHA pati siguruar një raport të kompanisë “Hill”, e cila ishte e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për mbikëqyrjen e ndërtimit të kësaj autostrade. Sipas dokumentit, detyrimi monetar në raport me “Bechtel-Enkan” ishte 14 milionë euro. Por, Lekaj nuk e kishte prezantuar zyrtarisht në Qeveri këtë raport e në mungesë të tij Ekzekutivi e kishte aprovuar pagesën prej 53 milionë eurosh shtesë për kompaninë që e ka ndërtuar autostradën.

VIDEO: Momenti kur gjyqtarja Violeta Namani lexon vendimin e Gjykatës për ish-ministrin Lekaj dhe tre zyrtarë të tjerë për rastin e 53-milionëshit

VIDEO: Deklarata e avokatit të Lekajt pas vendimit të Gjykatës