Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacolli në Romë kërkon investime në Kosovë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka ftuar kompanitë italiane në fusha si ato të tekstileve, etj, që të hapin fabrikat e tyre edhe në Kosovë krahas Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, duke pasur parasysh një popullsi të re dhe krahun e punës të përgatitur, transmeton Koha.net.

Pacolli nisi me një mëngjes pune me, Licia Mattioli, zëvendëspresidente për Ndërkombëtarizim dhe Camilla Cionini Visani, drejtoreshë për Çështje Ndërkombëtare, Konfindustria.

Konfindustria është organizata më e madhe e biznesit italian që grupon afro 150 mijë kompani nga sektorë si industria, shërbimet, tregtia, etj, me afro 4.5 milionë të angazhuar.

Gjatë bisedës së punës, numri dy i qeverisë së Kosovës i njohu bashkëbisedueset me legjislacionin shumë të favorshëm të Kosovës për ndërmarrësit në përgjithësi dhe ata italianë në veçanti.

Pacolli e përshkroi mjedisin biznesor të krijuar në vend si njërin nga më dinamikët falë reformave të ndërmarra në sektorë të ndryshëm, duke e bërë Kosovën në 10 vendet më reformatorë të botës.

Edhe Italia do ta ndihmojë Kosovën drejt integrimit euro-atlantik Arbëri Italia do ta ndihmojë Kosovën drejt integrimit euro-atlantik

Ai ftoi kompanitë italiane në fusha si ato të tekstileve, etj, që të hapin fabrikat e tyre edhe në Kosovë krahas Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, duke pasur parasysh një popullsi të re dhe krahun e punës të përgatitur. Ai i ftoi kompanitë italiane që të asistojnë Kosovën, me projekte, duke vënë në lëvizje fondet e shumta, që Bashkimi Evropian ofron për Kosovën.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme, numri dy i Konfindustrisë, i prezantoi zëvendëskryeministrit të Kosovës interesimin e kompanive që bëjnë pjesë në shoqatën, që ajo drejton për tregje të reja.