Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacolli: Komuna e Prishtinës duhet patjetër të vendos flamurin e Kosovës “Te Rrethi”

Një iniciativë e ngritur së fundmi nga një grup qytetarësh që të vendoset flamuri shtetëror aty ku është ai kombëtar “Te Rrethi” ka nxitur reagim edhe të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Pacolli, partia e të cilit bashkëqeverisë në Prishtinë me Vetëvendosjen, thotë se flamuri shtetëror duhet të vendoset patjetër në këtë lokacion nga Komuna e Prishtinës. Ai ka thënë se kjo është dashur të ndodhte shumë më herët.

“Këtë javë vendi ynë është nikoqir i shumë mysafirëve që vijnë për rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Komuna e Prishtinës duhet patjetër të vendos flamurin e Kosovës ”të rrethi” i Prishtinës. Kjo është dashur të ndodhë shumë më herët. Kudo që ne shkojmë, na nderojnë me flamurin tonë. Por tani ne duhet së pari të nderojmë veten”, ka shkruar ai në Facebook.

Në anën tjetër, Shpend Ahmeti, kryetari i Prishtinës, ka thënë se vendosja apo heqja e flamurit te ky vend nuk është kompetencë e komunës që ai drejton.