Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar të enjten se e ka caktuar Zymer Mrasorin ushtrues detyre të drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore. E menjëherë pas kësaj, Fatos Qerimi, drejtor i këtij autoriteti, ka thënë se vendimi është i kundërligjshëm.
Ministrja Pacolli e arsyetoi vendimin duke thënë se e ka bërë me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe funksionalitetit në kuadër të Ministrisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Për të rritur efikasitetin dhe funksionalitetin në kuadër të ministrisë, është emëruar ushtrues detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, z. Zymer Mrasori. Sektori i ujërave është ndër prioritetet tona kryesore, andaj po ndërmarrim hapa konkretë për vendosjen e plotë të ligjshmërisë në mbrojtjen dhe menaxhimin e burimeve ujore, si dhe në rritjen e efikasitetit brenda këtij departamenti. Z.Mrasori i dëshiroj punë të mbarë e suksese në udhëheqjen e departamentit”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndërkaq Qerimi ka dalë me një reagim publik duke kërkuar nisjen e hetimeve ndaj ministres dhe të tjerëve për, siç ka deklaruar ai, këtë “proces të kundërligjshëm”.
Qerimi ka thënë se një ditë më parë ka pranuar vendim për transferim në një pozitë tjetër. Sipas tij, ky vendim ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Ka shtuar se atij as s’i është kërkuar pëlqim paraprak për transferim e as nuk ka dhënë një pëlqim të tillë.
“Dje kam pranuar përmes emailit një vendim për transferimin tim në një pozitë tjetër, vendim i cili është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Zyrtarët Publikë, konkretisht me nenin 65, paragrafi 4, i cili përcakton qartë se transferimi i përhershëm i një zyrtari publik nuk mund të bëhet pa pëlqimin paraprak të tij. Një pëlqim i tillë nga ana ime nuk është kërkuar dhe as nuk është dhënë në asnjë moment. Për rrjedhojë, ky vendim është i kundërligjshëm dhe juridikisht i pazbatueshëm”, ka shkruar ai në Facebook. “Po ashtu, përmes një postimi publik në Facebook nga Ministrja Fitore Pacolli, jam njoftuar për emërimin e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, ndonëse ndaj meje nuk është zhvilluar asnjë procedurë ligjore për përfundimin e mandatit apo lirimin nga detyra, sipas legjislacionit në fuqi”.
Sipas tij, kjo tregon për ndërhyrje politike.
“Fakti që emërimi i ushtruesit të detyrës është bërë publikisht edhe para përfundimit të çdo procedure ligjore dhe administrative ndaj meje, dëshmon qartë për ndërhyrje politike të kundërligjshme në shërbimin civil dhe në funksionimin e administratës publike”, ka shkruar ai.
Qerimi ka thënë se këto veprime ngrenë dyshime për ushtrim të ndikimit të kundërligjshëm dhe keqpërdorim të detyrës. Ai ka kërkuar nga Prokuroria Speciale të nisë hetime.
“Konsideroj se këto veprime përbëjnë shkelje serioze të parimeve kushtetuese të ligjshmërisë, paanshmërisë dhe profesionalizmit në administratën shtetërore, si dhe ngrejnë dyshime të bazuara për konsumim të elementeve të veprës penale lidhur me ushtrimin e ndikimit të kundërligjshëm dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare. Për këtë arsye, i bëj thirrje publike Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të fillojë menjëherë hetimet ndaj Ministres dhe të gjithë personave të përfshirë në këtë proces të kundërligjshëm, me qëllim të mbrojtjes së ligjshmërisë, integritetit të shërbimit civil dhe parimeve të shtetit juridik”, ka përfunduar ai.