Arbëri

Osmani: Zëri i Zvicrës për Kosovën ka qenë gjithmonë i qartë

Presidentja Vjosa Osmani dhe presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter

Presidentja Vjosa Osmani dhe presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter

Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse ndaj Zvicrës për përkrahjen e vazhdueshme, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para Këshillit Federal të Zvicrës.

Osmani ka thënë se Kosova dhe Zvicra kanë ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme që nga mbështetja për përpjekjet për liri.  

“Këtu pikërisht në Zvicër shumë nga përpjekjet për liri të Kosovës kanë gjetur përkrahje dhe mbrojtje. Kosova do mbetet përgjithmonë mirënjohëse. Me qindra mijëra njerëz sot me origjinë nga Kosova jetojnë në këtë vend të mrekullueshëm. Kështu kemi thyer pengesa dhe kemi ndërtuar marrëdhënie”, ka thënë ajo.

Osmani ka shtuar se zëri i Zvicrës krah Kosovës ka qenë i palëkundur në rrugëtimin e saj për liri dhe shtetndërtim.

“Në Kosovë ne jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme, stabile të Zvicrës që na ka ndihmuar në rrugëtimin tonë demokratik. Zëri i Zvicrës ka qenë i qartë shumë herë sepse kur u bë vendi më i ri në Evropë për të folur hapur se zgjidhja e vetme që do sillte paqe afatgjate ishte pavarësia, liria. Në atë kohë ishte vetëm Zvicra që e përkrahte, por ajo nuk është ndalur, ka vazhduar me përkrahjen. Na keni ndihmuar në rindërtimin e shtetit që është ngritur nga hiri pas luftës së tmerrshme”, ka përfunduar presidentja.

Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, ka thënë se refugjatët shqiptarë që i ikën luftës në Kosovë e u bënë banorë të Zvicrës kanë ndihmuar në rritjen ekonomike dhe ndërtimin e shtetit.

“Sot gjenerata të panumërta të dyta dhe të treta që ishin shtetas të Zvicrës me prejardhje nga Kosova e quajnë Zvicrën shtëpinë e tyre. Ata janë bërë pjesë e shoqërisë sonë, qoftë nga futbolli, mësimdhënës, mekanikë apo politikanë. Të gjitha ata kanë ndihmuar ta ndërtojnë kombin tonë për dekada. Historitë e tyre të suksesit janë po ashtu histori të suksesit të Zvicrës”, ka thënë ajo.

 

Lexo përditësimet tjera
Vjosa Osmani

Osmani nis vizitën në Zvicër, pritet nga presidentja zvicerane Keller-Sutter

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot nga presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin...