Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani uron Bidenin: Kosova feston krah jush

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dërguar të hënën, letër presidentit amerikan, Joe Biden, me rastin e 4 Korrikut, përvjetorit të pavarësisë, duke u thënë se lidhja mes dy vendeve është krijuar prej ditëve sfiduese, e është forcuar “gjatë ditëve tona më të mira”.

Osmani tha se është mirënjohëse për mbështetjen e SHBA-së, derisa theksoi se Kosova ecën “në rrugë të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe në strukturat e tjera ndërkombëtare që promovojnë vizionin e përbashkët dhe qëllimet”.

“Sot populli i Kosovës feston përkrah miqve dhe aleatëve tanë amerikanë dhe flamujt tanë valëviten me krenari krah për krah. Më lejoni t'u shprehë përsëri urimet tona më të mira për këtë ditë të veçantë dhe t'u uroj juve dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gëzuar 4 Korrikun. Ju lutem, zoti President, pranoni shprehjen e vlerësimit tim më të lartë për ju dhe vendin tuaj”, thuhet në letrën drejtuar presidentit amerikan.

Presidentja Osmani theksoi se SHBA-ja pati qasje parimore dhe mbështetje të palëkundur për unitetin dhe sigurinë në Evropë, “pasi kontinenti përballet me një nga sfidat më të mëdha dhe më shkatërruese të kohës sonë”.

“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet e mia më të ngrohta për ju dhe popullin amerikan me rastin e festimit të 4 Korrikut. Ne bashkohemi me ju dhe miqtë e Shteteve të Bashkuara në mbarë botën për ta festuar këtë ditë të gëzueshme”.

Artikuj të ngjashëm