Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar të mërkurën për vizitë zyrtare në Lituani me ftesë të presidentit, Gitanas Nausėda.
Zyra e presidencës ka bërë të ditur se gjatë vizitës në Lituani, Osmani do të takojë përfaqësues të lartë shtetërorë ku do të diskutohet forcimi i partneritetit ndërshtetëror si përgjigje e përbashkët kundrejt situatës së krijuar politike dhe të sigurisë në Evropë.
“Presidentja do të pritet nga homologu i saj, Gitanas Nausėda, ku do të diskutojnë për forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, rritjen e bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe bashkërendimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Presidentja gjithashtu do të takojë Kryeministren e vendit, Ingrida Šimonytė si dhe Kryetaren e Kuvendit të Lituanisë, Viktorija Čmilytė-Nielsen”, thuhet në njoftim.
E shoqëruar nga ministrja e Brendshme Agnė Bilotaitė, presidentja Osmani do ta vizitojë qendrën e regjistrimit për refugjatë të luftës nga Ukraina dhe më pas do t’i drejtohet një grupi akademikësh e studentësh në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike, për të folur mbi mbrojtjen e demokracisë.