Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani takon Tajanin: Serbia po përpiqet ta destabilizojë Kosovën nëpërmjet strukturave ilegale në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit të zhvilluar të martën me ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani dhe ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe lidhur me dialogun me Serbinë.

Zyra e Presidencës ka njoftuar se Osmani në këtë takim ka vlerësuar kontributin e Italisë në kuadër të KFOR-it dhe ka theksuar nevojën për shtimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes.

“Duke u ndalur te zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë në koordinim me aleatët dhe po bëjnë përpjekje intensive për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme për çështjen e targave brenda afatit 48-orësh. Sipas Presidentes, Serbia po përpiqet që nëpërmjet strukturave ilegale në veri të vendit ta destabilizojë Kosovën”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca.

Ajo ka shtuar se për sukses të procesit të dialogut, nevojitet trajtim i barabartë i palëve të përfshira deri në përfundimin e tij me njohje reciproke.

“Në këtë frymë, Presidentja Osmani theksoi se procesi i dialogut nuk duhet lejuar të përdoret si instrument i Serbisë për ta minuar rrugën euroatlantike të Kosovës”, ka theksuar Osmani.

Pas saj, edhe kryeministri Albin Kurti u takua me dy ministrat italianë ku i njoftoi me zhvillimet e fundit në vend, performancën ekonomike të vendit, për reformat në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

Edhe Osmani e Xhaçka diskutojnë fuqizimin e koordinimit në politikën e jashtme Arbëri Osmani e Xhaçka diskutojnë fuqizimin e koordinimit në politikën e jashtme

Kurti, nënvizoi planet e Kosovës për aplikimin në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti dhe synimet për të qenë pjesë e programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe ritheksoi aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në kuadër orientimin vleror dhe diplomatik të Republikës së Kosovës.

Tajani shprehu përkushtimin e Italisë për të kontribuar në zhvillimin, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, teksa ministri i Mbrojtjes, Crosetto dha mbështetjen dhe ofroi ndihmën e Italisë për Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Gjatë takimi u diskutua edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zhvillimet e fundit në procesin e dialogut dhe për takimin e djeshëm në Bruksel. Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri Kurti e njoftoi zëvendëskryeministrin Tajani për agjendën e takimit sipas ftesës së Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimin Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, qëndrimet e mbajtura dhe propozimet e dhënë në gjashtë takimet e datës 21 nëntor, dhe për vendimin e sotshëm për të shtyrë për 48 orë, sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zbatimin e fazës së dytë të vendimit për targat ilegale.