Gatishmërinë e Italisë për të qenë në dispozicion të Kosovës dhe të Serbisë me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për targat dhe për ruajtjen e stabilitetit e ka shprehur të martën kryediplomati i këtij shteti, Antonio Tajani.
Në një konferencë për media bashkë me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, ai ka bërë të ditur se ka marrë sinjale gatishmërie për një zgjidhje si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, ku ka qëndruar para mbërritjes në Prishtinë.
Kryediplomati italian ka thënë se e ka pritur me kënaqësi vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shtyrjen edhe për 48 orë të zbatimit të vendimit për gjobitjen e shoferëve të veturave me targa ilegale.
“I kam thënë kryeministrit Kurti se ne jemi të angazhuar për ta mbështetur paqen dhe nuk marrim nisma të njëanshme. Unë dhe ministri i Mbrojtjes nuk jemi këtu në Kosovë rastësisht. Dua që ky të jetë mesazh për t’ju thënë se jemi këtu për ju, jemi në dispozicionin tuaj për të krijuar zgjidhje për problemet”, tha Tajani.
E ministrja Gërvalla informoi se në takimin me diplomatin italian u bisedua rreth përpjekjeve të Serbisë për nxitjen e destabilitetit në Kosovë.
“Biseduam për përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës përmes ndërhyrjeve masive në çështjet e brendshme të vendit tonë, kërcënimeve me dhunë e deri te kërcënimet jo të rralla me luftë. Biseduam se sundimi i ligjit është përgjigje e cila është e nevojshme që të jepet në të gjithë rajonin tonë dhe jo vetëm në Kosovë”, tha Gërvalla.
Pas takimit me Gërvallën, ministri i Jashtëm italian është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Kurti.
Krahas tij, në Kosovë po qëndron edhe ministri i Mbrojtjes i Italisë.