Arbëri

KFOR-i: Vazhdojmë ta përmbushim mandatin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të shtunën komandantin e KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e EULEX-it, gjeneral major Giovanni Pietro Barbano. Siç ka bërë të ditur Presidenca në një komunikatë për media, në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit lidhur me sigurinë në Kosovë dhe me theks të veçantë në veri dhe në vijën kufitare me Serbinë. KFOR-i ka thënë se vazhdon ta përmbushë mandatin e tij.

Osmani ka falënderuar dy zyrtarët e lartë ndërkombëtarë dhe ka thënë se e ka mirëpritur vendimin e NATO-s për të shtuar numrin e forcave në kuadër të KFOR-it “si sinjal i qartë ndaj Serbisë që të heq dorë nga destabilizimi dhe rrezikimi i sigurisë në Kosovë”.

“Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj që sfidat aktuale të sigurisë t`i tejkalojë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë”, ka thënë Osmani.

Në njoftimin e KFOR-it, takimi është cilësuar i dobishëm.

“KFOR-i vazhdon ta përmbushë mandatin e tij nga OKB-ja”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Më herët gjatë ditës, Osmani pati takime edhe me përfaqësues të Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës.

Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.

Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Të shtunën janë vënë re lëvizje tërheqëse, por ende s’ka zyrtarizim.

NATO-ja ka shtuar forcat në veri.

FSK-ja si forcë e sigurisë nuk mund të futet në veri të vendit pa koordinim me NATO-n, bazuar në një zotim të ish-kryeministrit Hashim Thaçi. Të shtunën, këtë zotim, kryeministri aktual, Albin Kurti, e ka kualifikuar si gjë që ka lënë vakum në veri të Kosovës.