Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar në Kuvend, gjatë seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga partia e tij, shqyrtimin në Kuvend të dy projektligjeve, kërkesë kjo që është refuzuar nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
“Më lejoni që të fus dy projektligje në mënyrë procedurale që ka të bëjë me fillimin e kësaj seance. Duke u bazuar në rregulloren e punë së Kuvendit, në emër të grupit punues të PDK-së, propozoj që në emër të kësaj seance të jashtëzakonshme të shqyrtojmë dy projektligje të cilat janë dërguar për shqyrtim në Kuvend. Bëhet fjalë për projektligjin për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e pandemisë COVID-19, si dhe projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë”, ka thënë ai.
Por ky propozim nuk është mbështetur nga LDK-ja. Nënkryetari i Kuvendit, nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala, ka thënë se në seanca të jashtëzakonshme nuk mund të futen pika shtesë.
“Kam një vërejtje që lidhet me çështjen që paraqiti kolegu Hamza, se kjo seancë është e jashtëzakonshme, që në seanca të jashtëzakonshme nuk mund të paraqiten rregulla tjera sepse seanca është thirrur vetëm për një pikë të rendit të ditës”, ka thënë Shala.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se në bazë të Gjykatës Kushtetuese, në seanca të jashtëzakonshme nuk mund të futen pika tjera.
“Rendi i ditës së seanca të jashtëzakonshme duhet caktuar paraprakisht dhe nuk duhet të ndërrohet më. Për shkak të rregullave nuk mund ta vë këtë pikë të rendit të ditës sot. Ju keni të drejtë që këtë pikë ta vendosni në seancat tjera”, ka thënë Osmani.
Edhe
Hamza: PDK-ja do të insistojë që projektligjet të trajtohen në Kuvend
Pa deputetët e LVV-së, Kuvendi e ka nisur të marten seancën e jashtëzakonshme, ku do të diskutohet rreth pakos emergjente prej 320 milionë eurosh, të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për t’u përballuar me krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19.
Seanca në Kuvend ka nisur me 40 minuta vonesë.