Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani në Islandë: E padrejtë që procesi i anëtarësimit të Kosovës në KE të lidhet me dialogun

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Rejkjavik të Islandës, vend ky që aktualisht udhëheq Presidencën e Këshillit të Evropës, ka theksuar se ndërlidhja e procesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion, me procesin e dialogut nuk është e drejtë.

Sipas një njoftimi të Presidencës së Kosovës, këtë Osmani e ka thënë në takimin që e ka zhvilluar me kryeministren e Islandës, Katrin Jakobsdottir.

Në njoftim thuhet se diskutimet në këtë takim janë fokusuar në shtyrjen përpara të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, siç theksohet, duke pasur parasysh rëndësinë e saj për liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve të Kosovës.

“Presidentja ka thënë, më tutje, se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli dhe do të ishte progres për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie apo religjioni. Presidentja poashtu shtoi se ndërlidhja e procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës me procesin e dialogut nuk është i drejtë, ndërsa theksoi se këto dy procese duhet të shihen si të ndara. Andaj, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është reflektim i të arriturave të Kosovës në zbatimin e vlerave të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të dëshmuar nga raportet e organizatave relevante ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se presidentja Osmani ka thënë se Islanda, një nga shtetet e para njohëse të Kosovës, është partner i rëndësishëm dhe aleat i popullit të Kosovës.

Edhe Osmani: Kosova e përkushtuar për ruajtjen e vlerave evropiane Arbëri Osmani: Kosova e përkushtuar për ruajtjen e vlerave evropiane

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Islandës për anëtarësimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare, ndërsa ka shprehur gatishmërinë që të intensifikohet komunikimi ndërshtetëror që të avancohet procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës në muajt në vazhdim. Në diskutim me kryeministren Jakobsdottir, presidentja Osmani ka përmendur vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe në këtë frymë, ka kërkuar mbështetjen e Islandës, si një nga shtetet themeluese të Aleancës veri-atlantike”, ka shkruar Osmani.

Presidentja thuhet se ka përmendur “progresin e institucioneve të vendit në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, duke përfshirë kornizën kushtetuese dhe ligjore, e cila është shumë e avancuar dhe plotësisht e harmonizuar me të gjitha konventat ndërkombëtare”.

“Modeli kushtetues në Kosovë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë është më i avancuari në Evropë, theksoi Presidentja Osmani, duke dhënë shembuj konkret të këtij modeli. Mbi temën e situatës së sigurisë në Evropë, Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë, ndërsa ka nënvizuar edhe rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së popullit ukrainas kundër agresionit rus”, thuhet në njoftim.

Osmani dhe Jakobsdottir theksohet se kanë shprehur gatishmërinë që të thellohen marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Islandës në fusha të ndryshme dhe të hapen kapituj të ri të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Osmani gjatë vizitës në Islandë është pritur edhe nga homologu i saj, Guoni Thorlacius Johannesson, në një vizitë pune, siç theksohet, me qëllim të avancimit të marrëdhënieve bilaterale dhe rrugës euroatlantike të Kosovës.

“Në vizitën e parë të një kreu të shtetit të Republikës së Kosovës në Islandë, presidentja Osmani dhe presidenti Johannesson diskutuan për rritjen e bashkëpunimit gjatë presidencës së Islandës në Këshillin e Evropës. Presidentja Osmani theksoi rolin e rëndësishëm që luan kjo organizatë në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe vlerësoi lidershipin e Islandës në këtë drejtim. Presidentja Osmani shprehu domosdoshmërinë që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë, duke nënvizuar progresin e jashtëzakonshëm në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, duke përfshirë kornizën kushtetuese dhe ligjore, e cila është shumë e avancuar dhe plotësisht e harmonizuar me të gjitha konventat ndërkombëtare. Ajo theksoi se qytetarëve të Kosovës po u bëhet padrejtësi e madhe duke ua mohuar qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si instrument jashtëzakonisht efektiv për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore”, thuhet në njoftimin e Presidencës për këtë takim.

Edhe Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në KiE hap i rëndësishëm për avancimin e të drejtave të njeriut Arbëri Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në KiE hap i rëndësishëm për avancimin e të drejtave të njeriut

Krahas këtyre diskutimeve, theksohet se dy presidentët kanë biseduar edhe për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Islandës, siç thuhet, duke nënvizuar potencialin për rritjen e bashkëpunimit, ndërsa kanë shprehur përkushtimin e tyre për të eksploruar mundësi të reja të bashkëpunimit në të ardhmen.

“Presidentja Osmani ka theksuar se ky takim është një dëshmi e bashkëpunimit në rritje ndërmjet Kosovës dhe Islandës, si dhe e angazhimit të përbashkët për promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Evropë”, thuhet në njoftim.