Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Zvicrës.
Ajo në këtë forum ka folur për potencialin ekonomik të Kosovës si dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
“Përpara rreth 1500 përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, akademikëve, politikanëve e përfaqësuesve të mediave zvicerane prezantova sot potencialin ekonomik të Republikës së Kosovës dhe theksova mundësitë e shumta për investime në vendin tonë, si e ftuar e Forumit Ekonomik të Zvicrës”, shkruan Osmani në Facebook.
Ajo në mesin e arsyeve të shumta për të investuar ka përmendur fuqinë e përgatitur punëtore, potencialin e madh të të rinjve, legjislacionin e bashkërenduar me atë të BE-së dhe mbrojtjen që i ofrohet investitorëve të huaj që e bëjnë Kosovën një vend ideal për të investuar.
“Interesimi i bizneseve e investitorëve për Kosovën u vërejt shumë qartë. Ne na mbetet të punojmë fort e të sigurohemi që interesimi i tyre të shndërrohet në investime të suksesshme në vendin tonë”, ka thënë Osmani.
Edhe
Osmani: Kosova është e hapur për investime
Në Forumin Ekonomik të Zvicrës çdo vit marrin pjesë 1.350 personalitete nga biznesi, akademia, politika. Diskutimet në këtë Forum synojnë këmbimin e ideve në fushën e rrjetëzimit industrial.
Në kuadër të kësaj vizite, presidentja Osmani do të takohet edhe me përfaqësues shtetëror të Konfederatës zvicerane.