Presidentja e vendit Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ka apeluar për veprim nga institucioneve në rastet e dhunës ndaj grave.
Duke nënvizuar edhe sulmin ndaj gruas me sëpatë në Gadimë të Ulët gjatë së hënës nga ish-bashkëshorti i saj, presidentja Osmani ka thënë se femicidi vazhdon të jetë plagë e hapur.
“Femicidi vazhdon të jetë një plagë e hapur. Jo thjesht një problem. Jo një statistikë. Por, një krizë kombëtare që po gërryen themelet e shoqërisë sonë, ditë pas dite. Ajo që ndodhi në Gadime të Ulët nuk është thjesht “një rast tjetër”. Një grua, edhe pse e mbrojtur me urdhër aktiv, u sulmua barbarisht me sëpatë nga ish-bashkëshorti i saj. Kur një urdhër mbrojtjeje mbetet letër, atëherë rreziku bëhet realitet. Dhe realiteti na vret. Numri i rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje po na e thotë troç: letrat nuk shpëtojnë jetë. Zbatimi, vendosmëria, reagimi pa vonesë - po!”, ka shkruar në rrjetin e saj social Facebook, Osmani.
Presidentja Osmani tutje ka thënë se “çdo hap i gabuar, çdo neglizhencë, çdo vonesë mund të jetë fatale. Askush që ushtron dhunë nuk duhet të ndihet i paprekshëm. Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur”.
Bashkangjitur me këtë shkrim, Osmani publikoi edhe fotografinë e objektit të presidencës të ndriçuar me ngjyrë të kuqe.