Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në një takim që sot ka zhvilluar me komandantin e KFOR-it, gjeneral Michele Rissi, ka kërkuar bashkëpunim më të thellë mes kësaj strukture ushtarake dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Të premten pjesëtarë të xhandarmërisë serbe u panë të kenë hyrë në territorin e Kosovës, në fshatin Karaçevë të Kamenicës, duke ngritur reagime të shumta. Në një njoftim nga KFOR-i ishte thënë se kjo ishte në kuadër të patrullimeve të përbashkëta në vijën kufitare.
“Kryetarja Osmani tha se, si udhëheqëse e Kuvendit dhe përfaqësuese e popullit, e çmon jashtëzakonisht lart gatishmërinë e KFOR-it për të siguruar ambient të qetë dhe të sigurt, por kërkoi po kështu që bashkëpunimi i kësaj strukture ushtarake të thellohet me institucionet e sigurisë të Kosovës, në mënyrë që qytetarët e vendit të ndihen të sigurt dhe që të shmangen situatat, sikur ajo e Karaçevës, të cilat mund të ndikojnë që qytetarët e vendit të mos ndihen të sigurt”, thuhet në një njoftim të Kuvendit për takimin që sot Osmani ka pasur me Rissin.
“Kosova i ka të përcaktuar kufijtë e saj që nga 17 shkurti i vitit 2008 dhe qytetarët e vendit duhet të ndihen të sigurt në çdo cep të vendit”, ka thënë Osmani, sipas njoftimit.
