Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani-deputetëve belgë: Anëtarësimi i Kosovës në NATO i kontribuon stabilitetit të rajonit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti të premten në takim një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të kryesuar nga Theo Francken.

Osmani, sipas njoftimit të Presidencës, falënderoi për mbështetjen dhe përkushtimin e Belgjikës në misionin e NATO-s dhe partneritetin e saj me Kosovën.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se synimi i Kosovës është që anëtarësimi në Partneritetin për Paqe t`i paraprijë atij në NATO dhe se këta hapa kontribuojnë në stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por edhe rajonit. Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve të saj si partnere në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal”, thuhet në njoftim.

Një pjesë e takimit, siç thotë njoftimi, iu kushtua edhe mundësive të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe fusha të ndryshme me interes të përbashkët.

Para Osmanit, deputetët belgë u takuan me kryeparlamentarin Glauk Konjufca e kryeministrin Albin Kurti.