Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani Borrellit: BE-ja t’i gjykojë përpjekjet e Serbisë për tensionim e destabilizim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, që BE-ja duhet t’i gjykojë përpjekjet e Serbisë për tensionim e destabilizim në veri të Kosovës.

“Kosova ka përmbushur një aspekt ligjor duke zbatuar marrëveshjen e vitit 2011 dhe 2016 për targat. Përpjekjet për tensionim dhe destabilizim nga struktura ilegale të mbështetura nga Serbia duhet t`i gjykojë vetë BE-ja”, ka theksuar Osmani në takimin e së hënës në New York, me Josep Borrellin, në një darkë joformale bashkë me liderë të shteteve të rajonit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi. Masa nxiti reagimin e serbëve që me vetura e kamionë kanë bllokuar qe tash e tre ditë rrugët në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak në veri. Policia e Kosovës me njësi të shtuara është duke qëndruar në këtë zonë.

Në takimin e krerëve të rajonit me Borrellin është diskutuar për situatën në rajon dhe raportet e Ballkanit me BE-në.

Osmani, sipas komunikatës nga Presidenca, ia ka kujtuar Borrellit se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash, e se tash i takon BE-së t’i përmbushë premtimet e veta ndaj Kosovës.

Sipas saj, “Kosova është palë konstruktive në procesin e dialogut me Serbinë, porse ky proces duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe me rendin aktuale juridik”.