Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani bisedon me kreun e KQZ-së mbi zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri

Presidentja ka takuar kryetarin e Komisionit Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi, për të diskutuar për shpalljen dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së zyrtarëve të zgjedhur nga katër komunat në veri të vendit si dhe zëvendësimi i deputetëve të dorëhequr.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se së shpejti subjektet politike do të ftohen për konsultime para caktimit të datës së zgjedhjeve.

“Në këtë takim, Presidentja ka theksuar se janë duke u ndërmarrë hapat e nevojshëm për shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Ajo tha se së shpejti subjektet politike do të ftohen për konsultime përpara se të caktohet data e zgjedhjeve, brenda afatit ligjor”, u njoftua përmes komunikatës nga ZPRK.

Kurse, Radoniqi tha se KQZ-ja posedon kapacitetet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit.