Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Bashkëpunimi me EULEX-in, jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë periudhë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se bashkëpunimi me EULEX-in është jashtëzakonisht i rëndësishëm, veçanërisht në këtë periudhë.

Në takim me shefin e ri të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, Osmani ka thënë se Kosova, si vend që aspiron integrimin në institucionet euroatlantike, është e përkushtuar për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për të garantuar integritetin profesional dhe zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.

“Në takim me z. Pietro Barbano, Presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi me EULEX-in në suaza të mandatit aktual të këtij misioni dhe me institucionet tjera ligjzbatuese në vend është jashtëzakonisht i rëndësishëm, e në veçanti në këtë periudhë”, thuhet në komunikatën e ZPRK-së.

Tutje, Osmani foli mbi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar për tejkalimin e sfidave të sigurisë, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave, fëmijëve dhe komuniteteve joshumicë.