Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, përmes një komenti shkruar për Revistën CORD, ka vlerësuar se ka nevojë urgjente për depërshkallëzim të situatës në veri të Kosovës.
Davenport ka thënë se nuk mund të ketë kthim në normalitet për banorët e komunave veriore derisa të gjitha komunitetet të përfshihen sërish në institucionet e sigurisë publike, gjyqësor dhe në vendimmarrje komunale.
“Dorëheqjet e kryetarëve të zgjedhur dhe anëtarëve të kuvendit komunal bënë të nevojshme zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të cilat u mbajtën në komunat veriore më 23 prill, por të cilat u bojkotuan nga shumica dërrmuese e votuesve serbë të Kosovës. Ndërsa të zgjedhur ligjërisht, kryetarëve të rinj të komunave u mungon legjitimiteti si rezultat i pjesëmarrjes së ulët. Siç e kemi parë, tensionet janë rritur ndjeshëm që atëherë. Ekziston një nevojë urgjente për de-përshkallëzimin. Në të vërtetë, nuk mund të ketë kthim në asgjë që i ngjan normalitetit për banorët e komunave veriore derisa të gjitha komunitetet të marrin pjesë edhe një herë në institucionet e sigurisë publike atje, si dhe në gjyqësor dhe në vendimmarrje komunale”, ka theksuar ai.
Andaj sipas tij, zgjedhjet e reja gjithëpërfshirëse duhet të mbahen sa më shpejt.
“Kjo është arsyeja pse OSBE-ja ka kërkuar që zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur. Mekanizmat ekzistojnë që kjo të ndodhë, me kusht që të gjitha komunitetet të luajnë rolin e tyre”, ka thënë ai.
Edhe
KQZ-ja thotë se është e gatshme për zgjedhje të reja në veri
Sipas Davenportit, është e domosdoshme që palët t’i kthehen tavolinës së dialogut dhe ta zbatojnë atë për të cilën janë pajtuar.
“Mirëkuptimet e arritura në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas në Ohër më 18 mars ngritën shpresat te të gjitha komunitetet në Kosovë se kishte një moment të ri që do të çonte drejt normalizimit. Këto shpresa nuk duhet të zhgënjehen”, ka thënë ai.