Arbëri

OSBE-ja: Për keqardhje që Lista Serbe ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet në veri

Foto: Koha

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se është për të ardhur keq që Lista Serbe ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës që do të mbahen më 23 prill.

“Kjo do të kufizojë opsionet e votuesve në këto zgjedhje”, thuhet në një përgjigje të OSBE-së për KOHËN.

OSBE-ja ka thënë se zgjedhjet më 23 prill duhet të organizohen në përputhje me procedurat dhe praktikat e deritashme.

“Është thelbësore që ato të mbahen në mënyrë paqësore e të rregullt”, thuhet nga OSBE-ja.

Ajo ka thënë se dorëheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet në veri e kanë vënë në rrëzim integrimin e institucioneve në veriun e Kosovës.

“Mbetet të shpresohet se angazhimi proaktiv politik së fundi në Dialog nga ana e Prishtinës dhe Beogradit do të sjellë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe në të njëjtën kohë do të mbrojë atë që është arritur në vitet e fundit. Mbrojtja e të drejtave të të gjitha komuniteteve është prioritet i lartë, veçanërisht për OSBE-në, por në anën tjetër komunitetet gjithashtu kanë përgjegjësi që të angazhohen me institucionet dhe të marrin pjesë në procese demokratike. Integrimi i Policisë së Kosovës dhe gjyqësorit në veriun e Kosovës do të vazhdojë të jetë thelbësor për ruajtjen dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e interesave të komuniteteve jo-shumicë. Poashtu, pjesëmarrja në zgjedhjet për kryetarë komunash dhe kuvende komunale është thelbësore për përmirësimin e qeverisjes lokale dhe krijimin e kushteve ku të gjitha komunitetet do të mund të përparojnë”, thuhet nga OSBE-ja.