Serbia ka një aleat në vendet e Bashkimit Evropian, që hapur ka justifikuar sulmin terrorist në Banjskë. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, që njihet për qëndrimet e tij proruse, ka thënë se sulmi ishte përgjigje e serbëve pas provokimeve të Prishtinës zyrtare. Deklarimin e bëri në përfundim të Samitit të Spanjës, ku presidenti i Këshillit Evropian paralajmëroi një rezolutë për, siç tha, adresimin e konfliktit Kosovë-Serbi
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është i vetmi lider i vendeve të Bashkimit Evropian që ka dalë haptas në mbështetje të Serbisë duke kundërshtuar që asaj t’i vendosen sanksione pas ngjarjeve në veri të Kosovës.
Politikani që njihet për qëndrimet e tij proruse, në margjinat e Samitit të Spanjës e ka quajtur qesharake kërkesën e presidentes Vjosa Osmani që BE-ja t’i vërë masa Serbisë.
Madje sulmin terrorist në Banjskë ai e ka cilësuar përgjigje të serbëve ndaj provokimeve të Prishtinës zyrtare.
“Është qesharake, është e pamundur. Serbët kanë përjetuar provokime të rregullta në dy vjetët e fundit. Kështu që duhet ta kuptojmë se kosovarët duhet të sillen ndryshe, mos t'i provokojnë serbët. Provokimi çon në përgjigje. Kjo çon në jostabilitet dhe pa Serbinë nuk ka stabilitet në Ballkan. Kështu që definitivisht mendoj se Serbia duhet të ndihmohet për ta stabilizuar rajonin”, ka thënë Orban.
Bashkimi Evropian ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar sa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë. E zyrtarë të saj në përfundim të Samitit në Granadë përmenden mundësinë e miratimit të një rezolute për, siç kanë thënë, konfliktin rajonal mes Kosovës e Serbisë
“Këto 48 orë intensive politike të rëndësishme për Bashkimin Evropian ndihmuan në vendosjen e komunikimit dhe kjo shpresoj se do të çojë në miratimin e një rezolute sa u përket konflikteve rajonale Kosovë-Serbi, në mënyrë që ta kuptojmë më mirë se çfarë duhet të bëjmë muajt në vijim. Kjo platformë politike është e rëndësishme për angazhimin e liderëve nga vendet e tjera që janë po ashtu në Evropë”, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
E, presidentja Vjosa Osmani, që ka vijuar takimet në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, u ka kërkuar liderëve veç e veç që ta mbajnë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Mes tyre ajo takoi kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, e atë të Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të cilët Osmani tha se i ka informuar për provat mbi aktin e agresionit të Serbisë.
Një shtrëngim duarsh Osmani e ka pasur edhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shteti i të cilit ndodhet në luftë me Rusinë.