LAJMET E MBRËMJES

Osmani thotë se s’do ta takojë Vuçiqin, Borrell i bindur se takimi do të ndodhë

Pjesëmarrjen në Samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian në Spanjë, presidentja Vjosa Osmani do ta shfrytëzojë për të kërkuar ndëshkimin e Serbisë për rolin në sulmin terrorist në Banjskë. Osmani ka thënë se nuk do ta takojë Vuçiqin, derisa për një takim mes tyre, i bindur se do të ndodhë është shprehur përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell

Sanksionet ndaj Serbisë duhet t`i paraprijnë vazhdimit të dialogut, ka thënë të enjten presidentja Vjosa Osmani.

Në hapje të samitit të liderëve evropianë, të enjten në Granada të Spanjës, Osmani tha se nuk do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nga aleatët evropianë tha se do të kërkojë ndëshkimin e Serbisë për atë që ndodhi më 24 shtator në veri.

“Çfarë do të ndihmonte situatën nuk janë fotografitë me Vuçiqin, çfarë i ndihmon situatës, çfarë u ndihmon paqes dhe stabilitetit janë sanksionet ndaj Vuçiqit. Pra, sanksionet fillimisht e më pas mund të flasim për takime”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, ndëshkimi i Serbisë do të ndikonte në mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit në të gjithë Evropën.

“Iu bëj thirrje të gjitha vendeve të kontinentit evropian, edhe atyre brenda BE-së që të përkrahin këto masa. Duke vendosur këto masa, ato mbrojnë paqen dhe stabilitetin në Evropë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Osmani.

Me gjithë deklarimin e Osmanit se nuk do të takohet me Vuçiqin në Spanjë, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se një takim do të ndodhë.

“Takimet bëhen për t’i ulur tensionet. Presidentja Osmani do të jetë këtu dhe po ashtu presidenti Vuçiq. Në Kishinjev, ne u ulëm së bashku, biseduam për këtë, dhe sot do ta bëjmë të njëjtën gjë. Por, gjendja është shumë më e keqe sot sesa në kohën e Kishinjevës”, tha Borrell.

Në margjina të këtij samiti, disa prej liderëve të rajonit dhanë përkrahje për sanksionimin e Serbisë lidhur me rolin e saj në sulmin në Banjskë ku u vra një polic.

“Vetëm fakti që Serbia shpall ditë zie kombëtare për të nderuar anëtarët e atij grup kriminal, paramilitar, që vranë një polic, ishte e mjaftueshme për Bashkimin Evropian që të reagonte ashpër dhe të thoshte që kjo nuk është evropiane, nuk është e pranueshme por është e ndëshkueshme”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Ajo që është e rëndësishme është reagimi i BE-së, do të presim një raport se si do të reagojnë në këtë incidentin e rëndë dhe këtë minikrizë që ndodhi në Banjskë. Nuk mund të kalojë kjo situatë pa reagim”, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

“Unë nuk besoj se sanksionet në vetvete mund të çojnë në një zgjidhje të përhershme. Nëse është e nevojshme dhe nëse ka një qëndrim të unifikuar, Sllovenia do të bashkohet. Por ky nuk është domosdoshmërisht hapi i parë dhe i vetëm”, tha kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob.

Samiti i tretë i Komunitetit Politik Evropian ka bërë bashkë udhëheqësit e 47 shteteve të Evropës dhe ata të institucioneve evropiane. Samiti do të përmbyllet të premten.