Degradimi i raporteve midis kryeministrit Albin Kurti dhe homologut të tij nga Shqipëria, Edi Rama, ka nxitur reagimin e opozitës në të dyja vendet. Në Prishtinë fajtor për këtë e kanë bërë Kurtin, ndërsa në Tiranë kanë drejtuar gishtërinjtë kah Rama
Opozita në Kosovë ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti pas refuzimit për ta takuar në Prishtinë homologun e tij nga Shqipëria, Edi Rama.
Deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Ferat Shala, ka thënë se ky veprim është i dëmshëm për raportet midis dy shteteve.
“Realisht, si asnjëherë tjetër në historinë e kombit tonë, nuk ka një moment më kritik dhe më të paarsyeshëm, më të palogjik e më jokombëtar, sepse nuk ka arsyeshmëri që ne t’i kërkojmë Shqipërisë llogari për veprime politike në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Shala, në emisionin “60 minuta” të KTV-së.
Kryeministri Kurti ka thënë se nuk do ta takojë Ramën pa u mbajtur mbledhja e dy qeverive, e cila është anuluar njëanshëm në qershor nga Tirana zyrtare.
Besnik Tahiri, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e ka quajtur hipokrite kërkesën e Kurtit.
“Takimi duhet të ndodhë, sepse Rama e ka bërë edhe një hap tutje që 13 marrëveshjet të nënshkruhen nga pala shqiptare që të plotësohet kushti i Kurtit”, ka thënë Tahiri, duke theksuar se nuk bën të refuzohet një shtet që është anëtar i NATO-s. “Këto kushtëzime e zbardhin një agjendë mashtruese, hipokrite që e ka pasur Kurti gjatë gjithë kohës, që prej platformës së bashkimit kombëtar e valëvitjes së flamurit shqiptar në Kuvend, që i ka harruar të gjitha”, ka shtuar ai.
Por ndryshe nga opozitarët në Kosovë, ata në Shqipëri fajtor për situatën e kanë bërë kryeministrin Rama. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë se vizita e Ramës në Kosovë është më shumë një shëtitje turistike.
“Asnjë kryeministër në botë nuk do të poshtëronte veten të shkonte në një vend të pavarur, kur kryeministri i atij vendi i kushtëzon takimin dhe nuk e pret”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook. “Pretendimi se takimin Rama e kërkoi në emër të nismës së Berlinit, pikërisht ditën kur në Kosovë ishin për vizitë dy kryeministra të vendeve anëtare të BE për t’ia përcjellë Qeverisë së Kosovës mesazhet e BE-së, e bënë Ramën një qesharak që turpëron veten dhe vendin e tij”, ka shtuar ai.
Raportet mes të dyja qeverive kanë degraduar, pasi që Rama e ka fajësuar Kurtin për situatën në veri dhe shkaku i kësaj ka anuluar edhe mbledhjen e dy qeverive, e cila ishte planifikuar të organizohej në Gjakovë muajin e shkuar.