Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita në Lipjan kërkon legjitimimin e kryesuesit të ri të kuvendit

Lipjan, 11 prill – Këshilltarët e subjekteve opozitare PDK dhe AAK në Lipjan, pas zgjedhjes së kryesuesit të ri të KK-së me shumicë të votave i janë drejtuar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në mënyrë që vendimi i tyre të legjitimohet.

Përçarja e KK-së po vazhdon që nga prishja e koalicionit qeverisës LDK-AAK, ndërkohë në mbledhjen e fundit pak ditë më parë derisa Ekzekutivi, këshilltarët e LDK-së dhe kryesuesja e KK-së Vlora Limani-Hajnuni e kanë braktisur sallën me arsyetimin se pikat e rendit të ditës nuk kishin marrë votat e mjaftueshme për procedim, atëherë opozita sipas procedurave e ka zgjedhur kryesues të ri Nazmi Krasniqin, nga radhët e PDK-së.

Subjektet opozitare janë bazuar në nenin 47 të Ligjit të vetëqeverisjes lokale, pika 2,3, pastaj në bazë të Statutit të Komunës së Lipjanit, neni 28 pika 3 dhe në bazë të Rregullores së punës së KK-së, duke kërkuar votëbesimin për kryesues të KK-së, derisa shumicën e numrave në KK tashmë e ka opozita.

Ndërkohë i kontaktuar, Nazmi Krasnqi, i zgjedhur kryesues i ri i KK-së nga opozita, ka thënë se në fund të javës i është drejtuar MAPL-së për legjitimim të vendimit, ndërkohë në të ardhmen e afërt pritet ta thërrasë mbledhjen e radhës së KK-së, duke u bazuar në Ligjin e vetëqeverisjes lokale.

Nga ana tjetër Vlora Limani-Hajnuni, kryesuese e deritashme e KK-së ka thënë se veprimi i opozitës për zgjedhjen e kryesuesit të ri është i kundërligjshëm me arsyetim se seanca është mbyllur dhe askush tjetër nuk ka të drejtë ta thërrasë një mbledhje të tillë përveç saj (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).