Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, sot janë pajtuar për ta zbatuar marrëveshjen e energjisë të nënshkruar në vitin 2013 e të konfirmuar edhe më 2015. Kjo i hap rrugë faturimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore të banuara kryesisht me popullsi serbe.
Nga radhët e partisë në pushtet thonë se presin që marrëveshja të fillojë së zbatuari për 100 ditë, ndërsa opozita thotë se Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar këtë marrëveshje.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se tashmë qytetarët që jetojnë në komunat veriore do të paguajnë për rrymën e shpenzuar, duke respektuar ligjet e Kosovës dhe marrëveshjen e nënshkruar.
“Besoj që ka mekanizma të tjerë të zbatimit të marrëveshjes, gjithashtu është hera e tretë që pas vitit 2013-të dhe 2015-të, në vitin 2022 shihet se tashmë kemi një diferencë prej shtatë vjetëve, gjatë së cilave ka pasur humbje përmbajtjesore në sistemin elektro-energjetik të Kosovës, por që tashmë nuk ka ndonjë rrugëdalje tjetër përveç zbatimit të saj. Janë të sakta dhe të specifikuara qartë edhe afatet edhe obligimet e secilës palë dhe dua të besoj që ne pas një muaji, dhe pastaj pas 45 ditëve, 100 ditëve ashtu siç është paraparë në marrëveshje, do të kemi rezultate të zbatimit të saj. Katër komunat në veri janë pjesë e Republikës së Kosovës nuk ka realitet dhe zgjidhje tjetër andaj edhe nëse vet serbët që jetojnë atje duhet të jetojnë në një shtet funksional, duhet që menjëherë të bëhen pjesë e zbatimit të kësaj marrëveshje” deklaroi Kusari Lila për KosovaPress.
Deklarimet e zyrtarëve serbë se e njëjta marrëveshje i hap rrugë Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Kusari-Lila ka thënë se nuk duhet rënë pre e të tilla deklaratave.
Edhe
Banorët e veriut mirëpresin marrëveshjen, thonë se do ta paguajnë rrymën
“Aspak nuk duhet të biem pre e manipulimeve të vazhdueshme nga ana e Serbisë, përfshirë edhe deklaratën e mëhershme të Vuciqit e tash edhe të Petkoviqit, për arsyeje se kjo marrëveshje, apo zbatimi i saj, është kthim i normalitetit në veri pas plot 23 viteve mungesë të faturimit apo mbajtjes së përgjegjësisë dhe, natyrisht kompensimit monetar për energjinë e shpenzuar”, tha Kusari-Lila.
Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, ka deklaruar për KosovaPress se duhet të implementohen këto marrëveshje e jo të mbesin në letër, deri sa ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se gjatë kohës sa ka qenë në opozite i ka kundërshtuar të gjitha marrëveshjet me Serbinë.
“Në tërë këtë marrëveshje, dhe në tërë këto vite të kaluara, pikërisht kjo qeveri që sot është në pushtet e dikur në opozitë, i ka sharë, i ka fyer, i ka denigruar marrëveshjet dhe akterët i ka linçuar në shkallën më të lartë të mundshme në kuptimin, edhe njerëzor, edhe politik, edhe nacional, dhe sot implementon pikë për presje të gjitha ato të cilat janë të nënshkruara gjithmonë me partnerët ndërkombëtarë. Gjithçka është e definuar, dhe ka qenë që nga 2013-ta, duhet implementim i ligjeve dhe i veprimeve shtetërore në atë pjesë”, ka thënë Shala.
Deputeti Pal Lekaj nga radhët e AAK-së mendon që nuk do të arrihet të implementohet kjo marrëveshje sipas udhëzuesit, pasi që Serbia asnjëherë nuk i ka respektuar këto.
“Jam skeptik që do të implementohen sipas udhëzuesit që e kanë përpiluar dhe e kanë nënshkruar, e them këtë sepse ne e dimë nga Elektroseveri, edhe pse ka qenë marrëveshja që ai të aplikojë sa i përket shpërndarjes së energjisë elektrike, ai ka aplikuar edhe për mbledhjen e taksave apo çmimit të energjisë, faturave edhe për shpërndarjen kështu që e ka thyer marrëveshjen vetëm për të fituar në kohë, që sa vite nuk kanë paguar qytetarët e veriut të Kosovës, prandaj me një fjalë përmbyllëse ne nuk guxojmë të mashtrohemi nga Qeveria e Serbisë sepse asnjëherë nuk ka qenë serioze dhe nuk iu ka përmbajtur marrëveshjeve apo implementimit të këtyre marrëveshjeve. Ne i kemi 33 marrëveshje por deri më sot asnjëra prej tyre nuk është implementuar” deklaroi Lekaj.
Kritika ndaj Qeverisë Kurti ka pasur edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai kishte thënë se kur ishin arritur dy marrëveshjet për energji, Kurti i kishte quajtur marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë.
“Sot, qytetarët e Kosovës, duhet të dëgjojnë nga vet ai, nëse këto dy marrëveshje, të pranuar pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë. LDK-ja e ka mbështetur në vijimësi dhe konsistencë – dje dhe sot – marrëveshjet në interes të Kosovës, që kanë synuar ushtrimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Edhe
Afro 120 milionë euro u shpenzuan për rrymën në veri nga 2012-a
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i delegacionit serb, Petar Petkoviq arritën marrëveshjen për zbatimin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në veri gjatë paradites së sotme në Bruksel.