Vërejte të shumta ndër vite nga partitë politike, Avokati i Popullit e nga shoqëria ka pasur për faktin se pjesa veriore e vendit nuk paguan rrymë, si pjesët e tjera të vendit.
Afro 120 milionë euro janë shpenzuar që nga viti 2012 për energjinë e shpenzuar nga qytetarët e këtyre komunave.
Por marrëveshja e arritur një ditë më parë në Bruksel është mirëpritur nga banorët e kësaj anë, të cilët kanë thënë se do ta respektojnë atë.
“Gjithmonë është paguar dhe duhet të paguhet. Kjo është normale. Nuk mund të konsumosh diçka e të mos paguash... Asgjë nuk është falas”, tha një qytetar, që nuk deshi të identifikohet.
“Do ta paguaj rrymën kur duhet të paguhet dhe aq”, shtoi qytetarja Radmila Vuçiniq, banore e Mitrovicës së Veriut.
Më të kënaqur ndër ta janë shprehur banorët shqiptarë, madje edhe optimistë se marrëveshja do të zbatohet.
“Ne si komunitet shqiptar, pavarësisht që nuk e kemi paguar sikur këta të tjerët, ne e mirëpresim. Lum ne që erdhi koha të tregojmë që edhe ne jemi që caktojmë ne kush duhet të paguajë e çfarë duhet të paguajë. Ligji është ligj”, ka thënë Gani Haziri, banor i Mitrovicës së Veriut.
Përgjigje të shkurtër ka dhënë nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adriana Hoxhiq, lidhur me atë se a sheh disponim për zbatim të Udhërrëfyesit për zbatim të marrëveshjes, duke u shprehur se kjo do të varet nga strategjia e Qeverisë për zbatimin e saj.
“Ende nuk e di se si është disponimi te qytetarët, kurse implementimi i marrëveshjes do të varet nga strategjia për implementimin e saj”, u shpreh ajo.
Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për nisjen e zbatimit të dy marrëveshjeve për energjinë, të arritura në vitet 2013 dhe 2015.
Dokumenti përmban edhe afate kohore, brenda të cilave duhet të nisë faturimi i energjisë në komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë, e në të cilat nuk është paguar deri tash për energjinë e shpenzuar.
Ekzekutivi po shpreson që brenda vitit të fillojë me arkëtimin e mjeteve pas arritjes së pajtueshmërisë.