Arbëri

Opozita kundërshton vendimin e KK-së për stimulim të shtabit emergjent gjatë shpërndarjes së ndihmave

Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK-ja, dega në Lipjan po vazhdon ta kundërshtojnë vendimin e Kuvendit Komunal për kompensimin e dhjetëra punëtorëve të administratës në shtabin emergjent të cilët në fillim të pandemisë ishin deklaruar në mënyrë vullnetare për t’i shpërndarë ndihmat e komunës nëpër familje skamnore. Kritika ndaj këtij vendimi kanë shprehur edhe kuvendarët nga radhët e AAK-së me arsyetim se kanë përfituar vetëm militantët e subjektit të LDK-së.

Për marrjen e këtij vendimi, kishte propozuar kryetari i komunës Imri Ahmeti në mënyrë që pagesat të bëhen nga kategoria e subvencioneve. Albulena Kelmendi, këshilltare nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka sqaruar se kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti para këshilltarëve komunalë dhe pa e përfshirë paraprakisht në materialin që u dërgohet rëndom asambleistëve për analizë, e kishe sjellë për rend të ditës një pikë e cila do të mundësonte kompensimin me pagë shtesë për punëtorë të administratës komunale për, siç pretendohet, për punën dhe angazhimin e tyre vullnetar për ndihmë në menaxhimin e pandemisë globale Covid 19 në komunën e Lipjanit. “Sipas Kryetarit, punëtorët administrativë me vetë iniciativë janë deklaruar se duan të ndihmojnë në aktivitete që konsistonin bartjen e miellit e gjërave tjera ushqimore, sidomos për zonën e karantinuar atëbotë, Janjevën, e cila kishte një qytetar të prekur nga virusi Korona. Si rrjedhojë, për ta shpërblyer këtë vullnet e gatishmëri për solidarizim, këtyre punëtorëve do t'u mundësohej marrja e një rroge shtesë”, ka thënë Kelmendi.

Sipas saj Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë ndërmarrje në dy rrafshe. “E para, nuk kemi pasur asnjë ditë në dispozicion për ta analizuar e vlerësuar si pikë, për t'u njohur më mirë me aktivitetet e këtyre punëtorëve dhe me idenë se kush do ishin përfituesit e pagës, dhe e dyta një kompensim i tillë rezultonte absurd, kur kemi parasysh faktin se punëtorët e administratës komunale kanë marrë në mënyrë të rregullt pagat gjatë periudhës së izolimit dhe dorën në zemër nuk është se ka pasur vlim të punës në zyrat e tyre, sepse qytetarët e kanë pasur të reduktuar dukshëm qarkullimin”, ka bërë me dije Kelmendi. Ajo ka shtuar se si rrjedhojë, duke këmbëngulur se praktika të tilla, që shpërblejnë me para solidaritetin e qytetarëve, qofshin edhe zyrtarë komunalë në pyetje, të cilët paguheshin në mënyrë të rregullt nga taksat e qytetarëve të komunës së Lipjanit, janë të dëmshme, e poashtu lënë edhe hapësirë për interpretim në baza politike. “Si subjekt politik, gjithmonë kemi përkrahur idenë e kompensimit dhe ndihmës për qytetarët, të cilët gjatë pandemisë kanë qenë dhe janë në vijën e parë të frontit dhe e respektojmë dhe kultivojmë idenë e solidaritetit dhe vullnetarizmit. Mirëpo, shumë punëtorë të sektorit privat për shembull, të cilët janë rrezikuar e po rrezikohen çdo ditë, nuk është se po kompemsohen për këtë gjë. Andaj, ky veprim na është dukur i papranueshëm dhe natyrisht e kemi votuar kundër edhe në seancën e shtatorit kur na erdhi sërish për votim”, ka shtuar Kelmendi. Sipas saj, ekzekutivi i Lipjanit nuk i zgjidhë as për së afërmi problemet e punëtorëve komunalë me kompensime të tilla sepse ata kanë nevojë për kushte të mira të punës, trajnime profesionale e respektim të të drejtave.

Ndërkaq, Ramiz Qeriqi, këshilltar nga radhët e AAK-së, ka thënë se individët e caktuar në qeverisjen lokale në Lipjan, a kenë shfrytëzuar situatën e pandemisë për përfitime personale, madje edhe në dhënien e tenderëve të ndryshëm. “Ne e kemi përkrahur propozimin që të stimulohen me nga një pagë vetëm ata që kanë kontribuar në kohë të pandemisë, por në asnjë mënyrë edhe militantët e LDK-së të cilët gjatë kohës së pandemisë kanë qenë të izoluar dhe në të njëjtën kohë kanë marrë pagën e rregullt nga shteti. Janë me dhjetëra zyrtarë që kanë përfituar nga vendimi i Kuvendit që është i papranueshëm. Madje edhe gjatë dhënies së tenderëve për dezinfektim të hapësirave publike ka pasur keqpërdorim të parasë publike sepse tenderët janë dhënë me çmime më të larta në krahasim me komunat tjera”, ka kritikuar Qeriqi.

Në anën tjetër, kryetari i komunës në mbledhjen e fundit, midis të tjerash ka propozuar ndryshimin e vendimit të KK-së në mënyrë që pagesa për shtabin emergjent të bartet nga mallrat dhe shërbimet në kategorinë për subvencione. “Pika tjetër që unë propozoj, edhe këtë vendim e kemi marrë në kuvend por nuk kemi mundur ta zbatojmë për shkak të ndryshimit të kodit. Kemi thënë që ta bëjmë një pagesë për shtabin emergjent prej mallrave dhe shërbimeve por nuk kemi mundur ta zbatojmë, andaj kërkohet të bartet prej subvencioneve”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq, në propozim-vendimin e komunës midis të tjerash thuhet se për arsyeje të shfaqjes së pandemisë Covid19, komuna e Lipjanit është në situatë emergjente dhe me anë të këtyre mjeteve planifikohet subvencionimin e zyrtarëve që kanë punuar në terren dhe u janë ekspozuar rrezikut nga Covid19. “Gjatë gjithë kohës që nga shfaqja e virusit për menaxhimin e situatës dhe shpërndarjen e ndihmave të ndryshme për familjet në nevojë të Komunës së Lipjanit (ku gjithsejtë janë shpërndarë 137 ton miell dhe mbi 5 mijë pako ushqimore dhe higjienike)”, thuhet midis të tjerash në propozim-vendimin e kryetarit Ahmeti.

{gallery}