Opozita nuk është pajtuar që Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës të qëndrojë në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ashtu siç është e përcaktuar në Projektligjin për Arkivat.
Në mbledhjen e komisionit për Arsim të enjten, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka thënë se Arkivat duhet të rikthehen në kuadër të Zyrës së kryeministrit.
“Ministria e Kulturës, që shpesh nuk e bën punën e vet qysh duhet, me marr përgjegjësi komplet memorien e shtetit, nuk është në rregull. Kjo duhet me qenë në zyrë të kryeministrisë”, ka thënë ai.
Në të njëjtin mendim ishte edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.
“Duke ia kthyer primatin arkivave, unë mendoj që kryeministria e ka më të lehtë ta menaxhojë. Nuk po flas për të bërë opozitën, por memoria kolektive është e rëndësishme dhe kjo nuk ka të bëjë me titullarin se kush e udhëheq, por se ky institucion duhet të vendoset te hierarkia më e lartë”, ka thënë Hoxha.
Për deputeten e VV-së, Arjeta Fejza, nuk është e rëndësishme se në cilin dikaster vendoset Agjencia, por mirëmbajtja e arkivave.
“Është shumë e rëndësishme me e pa përmbajtjen e këtij ligjit dhe do e shihni se si do të funksionojë. Kushtet janë të këqija, s’ka as sistem anti-zjarr e kjo nuk rregullohet nëse veç e vendosim në Zyrën e Kryeministrit, por kjo rregullohet nëse e merr vëmendjen e duhur me ndarje të mjeteve buxhetore. Vendosja në ministri ka qenë dakordim mes institucioneve. Një nga arsyetimet ka qenë mënyra e menaxhimit dhe resurset”, ka thënë ajo.
Fillimisht shërbimi arkivor në Kosovë ishte në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por duke u bazuar në përvojat evropiane, në vitin 2006, administrimi me arkiva kaloi në kuadër të Qeverisë së Kosovës. Ndërsa me vendim të Qeverisë nga në vitin 2017 u rikthye në kuadër të Ministrisë së Kulturës.
Deputetja Hoxha pati kritika për heqjen e fjalës “shtetërore” në kuadër të titullit “Projektligjit për Arkivat”.
Ndërsa sa i përket heqjes së termit “shtetërore” në projektligj, kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, ka thënë se ky rekomandim është marrë në bashkëpunim me këshilltarët juridikë të Kuvendit.
“Nuk ka arkiv të shtetit, por ka Agjenci shtetërore e cila në veprimtarinë e saj e ka edhe përkujdesjen e arkivave të shtetit. Aty ka arkiva private, të OJQ-ve, krejt këto i kemi përfshirë në një kategori juridike që e kemi quajtur si subjekte të ndryshme publike”, ka thënë ai.
23 rekomandimet për Projektligjin për Arkivat kaluan në parim nga komisioni me gjashtë vota pro dhe tre abstenime.