Një reformë e thellë parashihet për arkivat e vendit, me Projektligjin për Arkivat e Kosovës. Ndër të tjera, shteti merr përsipër të obligojë institucionet që t’i rikthejnë materialet arkivore që kanë dalë prej vendit joligjërisht. Nuk përmenden vende, por dihet që jo pak materiale të tilla ka marrë Serbia më 1999, siç ka bërë edhe me mijëra artefakte arkeologjike e etnologjike. Në seancën e së martës, ku u miratua në parim Projektligji për arkivat e Kosovës, nga opozita ka pasur shqetësime edhe për një vendim të 2016-s në lidhje me faktin se nën varësi të kujt është Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës
Arkivat e Kosovës mund t’ia shohin hairin Projektligjit të ri së paku sa i përket pasurimit me material arkivor. Kosova do t’ia bëjë vetes obligim ligjor që t’u kërkojë – Serbisë dhe shteteve të tjera – kthimin e materialit arkivor të marrë në mënyrë të jashtëligjshme. Shteti ka mundur që në bazë të konventave ndërkombëtare t’i shtrojë këto kërkesa edhe më herët, por tash synon që ta obligojë veten e kërkesat t’i ketë përtej dialogut midis dy shteteve. Serbia nuk përmendet në draftin e atij që pritet të bëhet ligj, por nënkuptohet nga diskursi i kahershëm e kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë edhe sa u përket materialeve arkivore.
Kuvendi i Kosovës të mërkurën i ka hapur rrugë Projektligjit për arkivat e Kosovës. Nëpërmjet votimit në lexim të parë ose në parim, kjo legjislaturë ka bërë një hap për ndryshimin e Ligjit për Arkivat e Kosovës, që është në fuqi prej vitit 2012.
Nëpërmjet Projektligjit shteti synon që të specifikojë në detaje organizimin dhe punën e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Por në Kuvend janë ngritur edhe shqetësime për kushtet me të cilat përballet institucioni sa u përket kuadrove e po ashtu edhe infrastrukturës.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, derisa ka kërkuar që deputetët të votojnë për miratimin e Projektligjit, ka thënë se në Ligjin aktual kanë munguar përkufizimet dhe shprehjet e përdorura si arkivi qendror, arkivat ndërkomunale, arkivat speciale, arkivat private, dokumentet, materiali arkivor e të tjera. Sipas tij, me Projektligj përcaktohet se Agjencia e Arkivave Shtetërore është institucion i rëndësisë së veçantë dhe vepron në kuadër të Ministrisë përkatëse për Kulturën, për dallim që me Ligjin në fuqi Agjencia e Arkivave parashihet si organ qeveritar që kryen detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara nga ligji.
“Janë eliminuar kolizionet ligjore. Janë përcaktuar dy nivele të menaxhimit, ai qendror dhe ndërkomunal. Është paraparë themelimi i Këshillit Profesional, i cili është përgjegjës për detyra këshillëdhënëse, rekomanduese....”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Aktualisht Agjencia Shtetërore e Arkivave, që sivjet shënon 71-vjetorin e themelimit, ka vetëm një inspektor. Kurse me Projektligj synohet që “në kuadër të strukturës organizative Agjencia themelon dhe funksionalizon Inspektoratin e Agjencisë, i cili do të ushtrojë kompetenca mbikëqyrëse, inspektuese, informuese dhe këshillëdhënëse, për të gjitha subjektet dhe institucionet e tjera që me ligj u janë dhënë detyra apo përgjegjësi për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e materialeve me rëndësi arkivore”.
Ligji aktual në fuqi është në vija të trasha. Kurse Projektligji është goxha specifik.
“Me këtë Projektligj kemi paraparë edhe kthimin e materialeve arkivore në Republikën e Kosovës, ku Republika e Kosovës në mbështetje të akteve dhe instrumenteve ndërkombëtare që rregullojnë fushën arkivore, ka detyrim që të angazhohet dhe të kërkojë rikthimin e materialeve arkivore në vendin e origjinës që kanë dalë në mënyrë të jashtëligjshme nga territori i Kosovës”, ka thënë ministri Çeku duke iu referuar nenit që flet për detyrimin e shtetit ndaj materialeve arkivore që janë jashtë vendit. Edhe në Projektligj nuk thuhet asgjë më shumë për këtë temë.
“Shqetësimi” për vendimin e 2016-s
Por një pjesë e deputetëve kanë qenë kundër faktit se me Projektligj, Agjencia e Arkivave Shtetërore të jetë institucion në kuadër të Ministrisë së Kulturës. Me ligjin aktual është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Në vitin 2016, nëpërmjet një vendimi kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa, Agjencinë e kishte vendosur në kuadër të MKRS-së. Por institucioni ka pavarësi në funksionim, në kod buxhetor e gjithçka tjetër. Është gati i njëjti rregullim si i bibliotekës kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Aktualisht drejtori i raporton ministrit të Kulturës dhe varësia është vetëm te politikat publike.
“PDK-ja e ka marrë me shqetësim zhvendosjen e Arkivave nga Zyra e kryeministrit te MKRS-ja. Konsiderojmë që të jenë aty ku kanë qenë në kuadër të Zyrës së kryeministrit”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Është përkrahur nga bashkëpartiakja Eliza Hoxha. LDK-ja e PDK-ja e kanë përkrahur Projektligjin në parim.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka ngritur si shqetësim faktin se shteti ka në proces Projektligjin për racionalizimin e agjencive. Sipas tij, do të ishte e rrugës që Projektligji për arkivat të ishte pjesë e pakos së ligjeve që synojnë racionalizimin.
“Kemi një vendim të Kuvendit që kërkon të trajtohet racionalizimi i agjencive me ligje të veçanta”, ka thënë Tahiri.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se asnjëherë nuk është diskutuar se me cilin institucion duhet të mbetet Agjencia e Arkivave. Sipas tij, në punën e deritashme është parë që më mirë të jetë në kuadër të MKRS.
Kërkesa për rikthim nën Zyrën e kryeministrit
Por edhe vetë drejtuesi i Agjencisë së Arkivave, Bedri Zyberaj, ka thënë se është pro që Agjencia të jetë në kuadër të Zyrës së kryeministrit. Sipas tij, vetëm në këtë pikë kanë mospajtim me versionin që është miratuar në Kuvend.
Ka thënë se Arkivi Shtetëror i Shqipërisë është në kuadër të Zyrës së kryeministrit. Ka përmendur se njëjtë është edhe Arkivi i shtetit austriak dhe ai i Turqisë. Sipas tij, në kuadër të ministrive të kulturës janë arkivat shtetërore të vendeve të ish-Jugosllavisë.
“Është edhe detyrim ligjor të jetë në kuadër të Zyrës së kryeministrit. Këtë ia kemi përcjellë edhe Komisionit parlamentar. Ndryshe, ne falënderojmë deputetët për debatin shumë përmbajtjesor e konstruktiv sa i përket Projektligjit”, ka thënë ai. Në këtë rast ka përmendur nenin 9 të Ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura.
“ Përjashtimisht, në varësinë e kryeministrit mund të themelohen agjenci ekzekutive për mbulimin e funksioneve të koordinimit qeveritar apo të natyrës horizontale”, shkruhet ndër të tjera në këtë nen. Zyberaj ka thënë se në Projektligj kanë përfshirë edhe propozimet e marra gjatë konsultimeve publike.
“Duke qenë në kuadër të Zyrës së kryeministrit mendoj se parimisht është më mirë, pasi jemi më afër institucioneve të tjera”, ka thënë ai.
Gjatë seancës ku Projektligji u miratua me 63 vota pro, pa asnjë abstenim e asnjë votë kundër, megjithëse në sallë ishin 88 deputetë, ka pasur edhe shqetësime të tjera.
Ndërhyrjet e domosdoshme, institucionet e harruara
Deputetja Ganimete Musliu në mënyrë të detajuar ka folur për mangësitë e kapaciteteve të Agjencisë dhe arkivave që menaxhohen nga kjo agjenci.
“Në gjendjen në të cilën janë arkivat e Kosovës, është pak e rëndësishme se në kuadër të cilit institucion do të jetë Agjencia. Me e pa vetëdije arkivat kanë mbetur pa kujdes institucional. Sot e 24 vjet pas përfundimit të luftës, Arkivi nuk ka arritur ta ngritë standardin e vet”, ka thënë ajo derisa ka folur për mungesë kuadri e hapësirash për punë.
E në këtë rast, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se ka nisur largimi i institucioneve të tjera nga ndërtesa e Agjencisë së Arkivave. Ka treguar se do të investohet në Arkivin e Prizrenit dhe se digjitalizimi është proces tjetër që ka nisur. “Kemi nevojë për rritjen e stafit të arkivave, por edhe këto janë procese të rekrutimit që janë në vazhdimësi”, ka thënë ai.