Dështimi i zgjedhjes së presidentit ka nxitur përplasje të reja nga distanca mes përfaqësuesve të dy taborëve politikë në vend. Në PDK e AAK i cilësuan zhvillimet e një nate më parë në Kuvend si fitore të demokracisë përballë tendencave, që ata i quajtën autoritare të Albin Kurtit. E në LVV e fajësuan opozitën për bllokadë ndërsa paralajmëruan se përgjigjja, pas kësaj situate, do të jepet nga qytetarët në kuti votimi
Fitore të shtetit përballë tendencave autoritare të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e cilësuan përfaqësues të partive opozitare dështimin për zgjedhjen e presidentit, një natë më parë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e vlerësoi këtë si fitore të Kushtetutës dhe të ligjit përballë Kurtit, e të cilin e quajti populist ndërsa tha se tani do të nisë një epokë e re.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Megjithëse me ditën e djeshme Kosova i ka rrumbullakuar gjashtë vjet të humbura nën këtë pushtet, prej sot nis një etapë e re për shtetin. Mbrëmë është përmbysur koncepti i partisë-shtet, ku një individ provon të bëhet mbret. Është përmbysur autokrati Albin Kurti. Tash fjalën e ka sovrani, i cili mban mend e nuk fal”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjete sociale, deklaroi se Kosova po përballet sërish me zgjedhje shkaku i vendimeve të gabuara politike të Vetëvendosjes.
“Mbrëmë u përballëm me një zhvillim që ngriti shqetësime por përgjigja jonë ishte e qartë e vendosur dhe pa kompromis... Gjatë kësaj kohe, ju keni votuar dy herë dhe tash po ju kërkohet të votoni për herën e tretë. Jo si rezultat i vullnetit tuaj, por për shkak të vendimeve të gabuara politike të kësaj qeverie”, ka theksuar kreu i PDK-së.
Hamza ka kritikuar qeverisjen aktuale për mungesë drejtimi dhe rezultate konkrete.
“Në vend të qeverisjes, patëm stagnim. Në vend të përmirësimit të mirëqenies, patëm përkeqësim dhe rritje të kostos së jetesës. Në vend të zhvillimit, patëm bllokadë”, ka theksuar Hamza.
Sekretarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, theksoi se reagimi publik dhe presioni qytetar e detyruan Kurtin të tërhiqet nga përpjekja që presidentin ta zgjedhë, siç u shpreh ajo, në stilin “karate”. Me këtë, ajo iu referua mesazheve të publikuara të deputetit të LVV-së, Naim Bardiqi.
E shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së në Legjislaturën e dhjetë, Arbërie Nagavci, e fajësoi opozitën për dështimin e zgjedhjes së presidentit.
“Secilit propozim të LVV-së, opozita iu përgjigj me refuzim. Përpjekja jonë për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe të panevojshme hasi në një bllokadë të pakapërcyeshme. Në vend të angazhimit konstruktiv, pamë vetëm refuzim dhe mungesë vullneti për zgjidhje. Të dëshpëruar nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, po na çojnë edhe një herë drejt zgjedhjeve të reja. Përgjegjësia për këtë situatë është e qartë dhe qytetarët do ta japin përgjigjen e tyre”, ka deklaruar Nagavci.
Ish-presidentja Vjosa Osmani, nëpërmjet një videoje të shpërndarë në Facebook, e quajti të tmerrshme natën e mbrëmshme, tek shtoi se është populli ai që i hap dyert që i mbyllin padrejtësitë.
“Aty ku ka urrejtje, duhet të sjellim vetëm e vetëm dashuri për njëri-tjetrin dhe për vendin tonë. Aty ku ka frikë duhet të sjellim shpresë, e aty ku ka propagandë dhe shpifje, duhet ta mbrojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Ju ftoj që të bashkoheni në këtë mision, sepse rrugët që mbyllen nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli”, ka thënë Osmani.
E marta ishte dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, por deputetë të Legjislaturës së dhjetë nuk arritën ta gjejnë një emër konsensual që i mbledh në sallë për ta votuar.
Bazuar në Kushtetutë, data më e largët për mbajtjen e zgjedhjeve të reja është 7 qershori.