Arbëri

Opozita dhe shoqëria civile kritikojnë dy çështje në marrëveshjen për targat

Arritja e marrëveshjes në Bruksel nuk është pritur mirë nga shoqëria civile dhe partitë në opozitë të Kosovës. Ato vlerësojnë se në këtë marrëveshje pozitive është veprimi i njëjtë për targat nga të dyja shtetet dhe zhbllokimi i situatës, por jo edhe detajet e tjera të saj. Targat KM dhe zëvendësimi i Njësisë Speciale të Policisë me forcat e KFOR-it, janë në mesin e problematikave të identifikuara nga partitë në opozitë e anëtarë të shoqërisë civile.

Me kritika nga shoqëria civile e partitë opozitare është pritur marrëveshja e arritur në Bruksel për shtensionimin e situatës në veri pas vendosjes së reciprocitetit për targa.

Ndonëse vendosja e letrave ngjitëse për targat në automjete te të dyja shteteve e zhbllokimi i situatës, e konsideron hap para, Arbër Fetahu, thotë se mbetet të shihet se si do të ecë zbatimi i kësaj marrëveshjeje.

Sipas Fetahut, që është hulumtues në Grupin për Studime Politike e Juridike, e paqartë vazhdon të jetë çështja e targave KM derisa problematike e konsideron fuqizimin e pranisë së KFOR-it në veri.

“Nëse kjo realisht ndodh dhe bëhet fakt që ato veprojnë ndryshe në jug e ndryshe në veri apo ka ndërrim të atyre afisheve KM, besoj që është një çështje problematike dhe nuk e zhbllokon situatën në kuptimin e sovranitetit të Kosovës, por i jep shumë fuqi palës serbe sidomos për ndarjen e kësaj pjese veri dhe jug”, ka thënë Fetahu.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se me tërheqjen e Njësisë Speciale e pranimin e targave KM, sovraniteti është dorëzuar te një palë e tretë.

“Pajtimi i Serbisë, se si rregullohet ligjshmëria në Kosovë, ku qëndrojnë Njësitë Policore e kur e në çfarë afati largohen ato, është prapakthim i rëndë. Mbi të gjitha, është precedent i rrezikshëm për të ardhmen; nga tani, sa herë që forcat e rendit shkojnë në veri për të vënë ligjshmëri, barrikadat ngrihen e Kosova duhet të negociojë me Serbinë për largimin e tyre. LDK-ja, po ashtu, kundërshton fuqishëm, legjitimitetin e tabelave të qyteteve të Kosovës të lëshuara në Serbi. Vazhdimi i përdorimit të tyre është po ashtu prapakthim. Asnjë tiketë ngjitëse, asnjë masë tjetër, nuk mbulon gabimin e rëndë që Qeveria e Kosovës ka bërë sot”, është shprehur LDK-ja.

Kurse nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se marrëveshja nuk dallon nga ajo që është arritur më 2016.

“Pjesa më shqetësuese, kjo marrëveshje barazon zbatimin e ligjit të Kosovës me huliganët që ngrenë barrikada”, ka thënë ajo.

Kurse kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar publikimin e tekstit të marrëveshjes për targat e raportim nga kryeministri para deputetëve.

“Nëse është e vërtetë se qeveria ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës, kjo për ne është krejtësisht e papranueshme dhe e dënueshme. Karakteri unitar i shtetit nuk mund të preket. Po ashtu, jemi të indinjuar me barazimin që i është bërë Policisë Speciale të Kosovës me grupet kriminale që kanë bllokuar rrugët në veri. Njëjtësimi i tërheqjes së grupeve kriminale me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës është ofendim dhe goditje për sovranitetin e Kosovës! Po ashtu, pajtimi që KFOR-i të marrë nën kontroll ruajtjen e rendit në veri, kur kjo është kompetencë ekskluzive e organeve shtetërore të rendit e kur misioni i KFOR-it është ushtarak, është kthim prapa dhe koncesion ndaj Serbisë e me pasoja të rënda për Kosovën. Kryeministri e ka për detyrë të sqarojë popullin për çdo detaj të kësaj marrëveshjeje dhe urgjentisht të raportojë në Kuvendin e Kosovës. Askush nuk ka mandat të nënshkruajë kurrfarë marrëveshje që mund të jetë në kundërshtim me sovranitetin e vendit”, ka deklaruar Haradinaj.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është arritur pas dy ditësh diskutime mes delegacioneve të dy shteteve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas saj, të shtunën më 2 tetor në mënyrë paralele nga dy pikat kufitare, në Jarinjë e Bërnjak, do të tërhiqen Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e barrikadat e vendosura nga serbët. Derisa nga e hëna, më 4 shtator, nuk do të vendosen targa të përkohshme, por simbolet shtetërore do të mbulohen me letra ngjitëse.