Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita dhe Qeveria me veprime që shihen si parafushatë për zgjedhje të parakohshme

Balotazhi - 9 nentor

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Ndonëse presidenti i ri duhet të zgjidhet më së largu më 28 prill, përfaqësues të partive ende nuk kanë nisur konsultat e reja për kandidat konsensual. Por, liderët e partive kryesore në opozitë kanë intensifikuar aktivitetet mobilizuese në terren, e Qeveria ka intensifikuar vendimmarrjen. Analistë politikë i shohin këto veprime si tregues të përgatitjeve për zgjedhje të parakohshme

Partitë kryesore opozitare kanë nisur takimet mobilizuese me strukturat e tyre dhe përkrahësit nëpër komuna, në kohën kur janë shtuar qëndrimet pro zgjedhjeve të parakohshme, në mungesë të një kandidati konsensual për president.

Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, e nisi turin e takimeve mobilizuese një ditë më parë në Gjilan dhe Viti, dhe paralajmëroi vizita në të gjithë Kosovën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ciklin e takimeve e ka paralajmëruar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike Lumir Abdixhiku, duke thënë se përbashkimi i madh rreth LDK-së kërkon rikthimin te baza.

Në PDK nuk janë përgjigjur në pyetjet nëse takimet janë parafushatë për zgjedhjet e parakohshme, që mund të organizohen në rast se dështon zgjedhja e presidentit më së largu më 28 prill.

E në LDK thanë se vizitat synojnë bashkimin e partisë dhe përgatitjen për çdo zhvillim politik, duke mos përjashtuar edhe zgjedhjet.

“Vizitat në terren janë pjesë e kampanjës sonë të përbashkimit të LDK-së dhe përgatitje për çdo rrethanë që mund të sjellin zhvillimet politike”, ka thënë Besian Mustafa, zëdhënës dhe deputet i LDK-së.

Profesori i shkencave politike, Dorajet Imeri, tha se aktivitetet e tilla të partive opozitare janë tregues se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve.

“Vizitat në teren jo vetëm të partive politike por edhe të zonjës Osmani ditë më parë kanë treguar që në fakt janë duke e matur terrenin, janë duke e parë se si mund të qëndrojnë në raport me mbajtjen e zgjedhjeve potenciale, të cilat me gjasë do të jenë opsioni i vetëm në ditët në vijim”, ka deklaruar Imeri.

Nëse nuk arrihet të zgjidhet presidenti brenda 34 ditëve siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese, më së largu më 7 qershor duhen mbajtur zgjedhjet.

Krahas partive opozitare, në këtë periudhë aktive është treguar edhe Qeveria, e cila ka miratuar disa nga ligjet kryesore, përfshirë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e pasurisë dhe atë për çmimet tavan. Në fund të muajit mars ka ekzekutuar edhe pagën e 13-të.

Ministri i Financave ka paralajmëruar edhe lansimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, në vlerë prej 200 milionë eurosh.

Në Qeveri thanë se kjo pako pritet të miratohet shumë shpejt.

Sipas profesorit Imeri, sikurse opozita, edhe Vetëvendosja po përgatitet për zgjedhje.

“Në raport me diskursin çfarë është tash, në raport me mënyrën dhe qasjen se si i janë rrekur problemit, unë shoh më shumë mundësi për zgjedhje sesa për të zgjedhur presidentin e Republikës, kështu që krejt kjo është në diskursin e përgatitjes graduale për një fushatë zgjedhore që mund të vijë shumë shpejt”, është shprehur Imeri.

Pas aktgjykimit të Kushtetueses nuk është realizuar asnjë takim mes përfaqësuesve të partive për zgjedhjen e presidentit. Liderët e Partisë Demokratike dhe të Lidhjes Demokratike kanë refuzuar të takohen me atë të Vetëvendosjes, Albin Kurti gjatë kohës sa në fuqi ishte masa e përkohshme e Gjykatës. Një ditë më parë, Kurti ka paralajmëruar se Bedri Hamzën e Lumir Abdixhikun do t’i ftojë për takim në fillim të javës.